Fjalë Kyçe

A e pagoi FSK-ja taksën e Rrugës së Kombit?

A e pagoi FSK-ja taksën e Rrugës së Kombit?

Pas marrjes së urdhrit nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, kontingjenti i FSK-së i përbërë nga tre ekipe të Kërkim-Shpëtimit Urban, një ekip njësi e përgatitur e qenve, ekipi i komunikimit, policia ushtarake e FSK-së dhe ekipi i Mjekësisë, ishin nisur gjatë ditës së djeshme për në Shqipëri pas tërmetit të fuqishëm.

Por nuk dihej se makinat e FSK-së, të cilat shkuan për t’i dal në ndihmë Shqipërisë, a e paguan taksën e “Rrugës së Kombit” a po jo.

Të kontaktuar nga Gazeta Insajderi, Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se asnjë makinë që ka shkuar dje në Durrës nuk kanë paguar tarifën.

Drejtori për Marrëdhënie me Publikun, nga Ministria e Mbrojtjes, Ibrahim Shala ka thënë për Insajderin se makinat kanë udhëtuar të pa penguar.

“Makinat e FSK-së kanë udhëtuar të pa penguar në rrugë për Durrës”, ka thënë Shala.

Ndërsa mbi 2 mijë automjete nga Kosova kanë shkuar gjatë ditës së djeshme në Shqipëri, të cilët kanë kaluar nëpër tri pika kufitare.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovë, dhënë për Gazetën Insajderi, thuhet se në pikat kufitare Vërmicë, Qafë e Prushit dhe Qafë e Morinës, në total 2960 automjete kanë kaluar nëpër këto pika.

Vetura 2443, kamionë 333 dhe autobusë 184, shkruan Gazeta Insajderi.

Të gjitha këto vetura kanë paguar taksën e vendosur nga Shteti i Shqipërisë. Ndonëse shumica prej automjeteve kanë dërguar ndihma humanitare për të prekurit e tërmetit.

Kjo ka ngjallur reagim nga shoqëria civile. Ata kanë kërkuar që kjo taksë të largohet, mirëpo kjo është mohuar sot nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në një lidhje direkte, gjatë një vizite në Durrës, Rama u shpreh se nuk janë asgjë pesë euro për ata që dëshirojnë të tregohen solidar.

“Ajo shumë nuk është asgjë për ata që vijnë me zemër për të ndihmuar, nuk i bëjnë të mëdha. Është kontribut për të gjithë si për shtetin si për popullin”, ka thënë Rama.

Tarifa e kalimit në rrugën Durrës-Kukës u vendos për herë të parë gja vitit të kaluar në masën 5 euro për një kalim ose 10 euro vajtje-ardhje.

Kurse sot, kompania që menaxhon me rrugën e kombit e cila u ka marrë taksë çdo automjeti që ka shkuar nga Kosova me ndihma për Shqipërinë e prekur nga termetet në 24 orët e fundit, ka njoftuar se e ka hequr këtë takës.

“Ju informojmë se shoqëria koncensionare e autostradës Milot-Morinë (rruga e Kombit), duke filluar që nga dita e djeshme datë 26.11.2019 ka lejuar kalimin pa pagesë të të gjithë makinave (individ, shoqata, inistucione të Kosovës, Shqipërisë etj), të cilët janë solidarizuar apo që kanë sjellë ndihma për të prekurit nga termeti. Keto grupe personash do të lejohen të kalojnë pa pagesë deri në përfundim të situatës eergjente”, thuhet në njoftimin e Albanian Highway Concession.

Aktualisht, në Shqipëri janë duke qëndruar njësiti i kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ku janë duke punuar në gjetjen e trupave të pajetë, kurse në mëngjesin e sotëm janë nisur edhe 100 policë nga Kosova.

Shqipëria në mëngjesin djeshëm është goditur nga një tërmet i fuqishëm me magnitutën prej 6.4 shkallë, i cili la pasoja të mëdha dhe viktima në njerëz.