Fjalë Kyçe

A ia kërkoi Grenell rrëzimin e Qeverisë Kurti 1? Flet Isa Mustafa

A ia kërkoi Grenell rrëzimin e Qeverisë Kurti 1? Flet Isa Mustafa

Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa, deklaron se derisa ka udhëhequr me partinë asnjëherë nuk ka marrë porosi nga SHBA-të që të rrëzojë Qeverinë Kurti 1.

Ai ka thënë se Grenell ka kërkuar që të hiqet tarifa dhe të mos zëvendësohet me reciprocitet, ndërsa, sipas Mustafës, Kurti e ka rrëzuar vetë Qeverinë duke shkarkuar nga pozita e ministrit Agim Veliun.

Reagimi i Mustafës vjen pasi Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ditë më parë ka deklaruar se Grenell, u kishte dhënë LDK-së 7 ditë kohë që ta rrëzojnë qeverinë Kurti 1.

“Po habitem me mendjelehtësinë e interpretimit të 7 ditëve, pesë ditëve,  e ditëve të trilluara dhe analizave që po iu bëhen në publik. Këta njerëz ose nuk i njohin SHBA-të ose janë të sëmurë kundër SHBA-ve”, shkruan Mustafa ndër të tjera.

Reagimi i tij i plotë:

z. Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK, sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Nga askush nga SHBA, LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate.

z. Grenell si përfaqësues i Presidentit të SHBA-ve për Kosovën  (jo si emër i përveçëm)  ka kërkuar nga ne që të hiqet tarifa e vënë nga Qeveria Haradinaj dhe që kjo tarifë të mos zëvendësohet me reciprocitetin, për ti dhënë shanse bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe dialogut.

I kam shkruar z. Kurtit në atë kohë se nëse nuk respektohen kërkesat amerikane për tarifat dhe nuk bashkëpunohet me SHBA-të si partner strategjik atëherë LDK, posa të kalojë faza e COVID-it, do të del nga Qeveria. Jo se do ta rrëzojë Qeverinë por DO TË DEL NGA QEVERIA KURTI. Qëndrimi në një Qeveri të tillë e cila nuk bashkëpunonte me SHBA-të ishte i pakuptimtë dhe degradues për LDK-në.

Z. Kurti e rrëzoi vet Qeverinë me shkeljen e Marrëveshjes së koalicionit , kur e shkarkoi një ministër të LDK-së. Këtë e bëri me të vetmin qëllim për të krijuar shkas që të bie Qeveria.

Po habitem me mendjelehtësinë e interpretimit të 7 ditëve, pesë ditëve,  e ditëve të trilluara dhe analizave që po iu bëhen në publik. Këta njerëz ose nuk i njohin SHBA-të ose janë të sëmurë kundër SHBA-ve.

I falem zotit që jam gjallë dhe shëndosh nga mendja, për të mos lejuar spërkatje të tilla ndaj LDK-së  dhe partneritetit me SHBA-të derisa unë isha kryetar i saj. IM