Vite më parë, me disa miq të mi hapëm një debat: Pse ne shqiptarët jemi kaq të mërrolur e depresivë, kaq agresivë e anarkistë dhe pse të shumtën e rasteve dukemi të traumatizuar e të trishtë?
Pasi isha vrojtues i bisedës për disa minuta, më në fund shpreha mendimin tim.
Thashë se gjenerata ime dhe të gjitha gjeneratat paraardhëse janë fëmijë të lindur nga nënat e dhunuara dhe shtova se nënat tona janë dhunuar në mënyrë sistematike nga baballarët tanë. Thashë po ashtu se deri te brezi i lindur i fëmijëve të viteve 70-të, shumica e shqiptarëve janë dëshmitarë kur në një dhomë dhe në mënyrë sistematike prindërit tonë kanë kryer akte seksuale në prani të fëmijëve të tyre dhe po ata fëmijë që sot janë burra e gra, ishin dëshmitarë të dhunimit sistematik të nënave pikërisht nga baballarët e tyre.
Kjo temë që vazhdon të jetë tabu në shoqërinë shqiptare, shumëkush me të drejtë shtron pyetjen: Si dhe pse këto dhunime ndodhën deri në gjeneratën e brezit të viteve 70-të dhe pse kjo “prerje” sipas meje nisi të ndodh në fillim të kësaj dekade? Megjithëse dhunime të këtilla kanë ndodhur edhe më vonë, mendoj se kjo dukuri primitive nisi të zvogëlohej ndjeshëm, veçanërisht mbas hapjes së Universitetit të Prishtinës. Në këtë institucion të lartë dhe tepër të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, ishte e natyrshme që studentët e të dyjave gjinive të pëlqeheshin me veti dhe të krijonin një model të favorshëm jetese për dallim nga prindërit e tyre, gjithsesi më të emancipuar përkrah rrethanave të kohës. Që nga gjenerata e fëmijëve të lindur mbas hapjes së Universitetit të Prishtinës, shohim një gjeneratë më të bukur dhe më të buzëqeshur, më proevropiane e më të civilizuar, por edhe më pak e kompleksuar e paragjykuese.
Seksi si akt dhe si nevojë biologjike, asnjëherë nuk është kryer me vullnetin e të dyja palëve te bashkëshortët shqiptarë, pra akti seksual ka ndodhur vetëm atëherë kur kanë ndjerë nevojë baballallarët, por jo edhe nënat tona. A nuk është dhunim, kur baballarët tanë të pa emancipuar e primitivë dhe pa vullnetin më të vogël të palës tjetër, kanë hyrë drejtpërdrejtë dhe në mënyrë agresive në akt seksual vetëm sa për t’i shfryer epshet e tyre? Më keq se kjo, dhuna seksuale ka ndodhur në prani të fëmijëve të tyre, pavarësisht arsyetimeve tona se e gjithë kjo ndodhi për mungesë kushtesh elementare në familjen shqiptare.
Nga kureshtja për të studiuar sa më shumë nga fusha e psikologjisë, nga psikanalisti Sigmund Freud kam lexuar se në rast se fëmijët janë të pranishëm në të njëjtën hapësirë ku prindërit e tyre kryejnë aktin seksual, atëherë kjo situatë është më e rëndë se sa t’i ekspozosh të njëjtit fëmijë përballë një masakre. Sot, këta burra e gra, fëmijë të dikurshëm dhe dëshmitarë të akteve seksuale të prindërve të tyre, janë ministra e deputetë, kryeministra e presidentë, diplomatë e udhëheqësh korporatash, që kur Kosova u bë e lirë dhe e pavarur. Dhe, jo rastësisht Kosova është katandisur në këtë gjendje të rëndë e bizare dhe të papranueshme për realitetin e kohës. Në këtë mes bën përjashtim themeltari i pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Duke qenë afër Tij për një dekadë, them me bindje se udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës kishte një “fat” në fatkeqësi. Ishte ende në barkun e nënës, kur babai i tij u vra gjatë Luftës së Dytë Botërore, prandaj ishte më tolerues e më paqësor, më i durueshëm e më mendjehapur, më intelektual dhe më i emancipuar nga gjithë brezi i tij.
Vështruar në këtë kontest, por edhe nga disa rrethana tjera, vendi ynë jo rastësisht po kalon nëpër fazën më të rëndë, edhe dhjetë vjet mbas shpalljes së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur. Kosova duhet të lirohet nga fëmijët e nënave të dhunuara dhe duhet të udhëhiqet nga gjenerata postkomuniste, më saktë nga gjenerata që kur u themelua Universiteti i Prishtinës e më vonë.
Kur në vitin 1956, familja e koreografit të shquar shqiptar Angjelin Preljocaj vendosi të ikte nga Shqipëria staliniste dhe derisa prindërit e tij një natë dimri nisën të kapërcenin kufirin për t’u strehuar në Kosovë, nëna e tij ishte shtatzënë me Angjelinin. Derisa levizte nga një gërgje në tjetrën për t’u fshehur nga rojat e dyfishta të kufirit; ushtarët shqiptarë e jugosllavë dhe nga lëvizjet tektonike derisa ajo kapërcente kufirin, në barkun e saj nisi të krijohej embrioni i valles dhe koreografi i ardhshëm Angjelin Preljocaj. Tash tridhjetë vjet, Angjelin Preljocaj është anëtar i Operës Nacionale në Paris dhe me lojën e tij mahnit artdashësit e gjithë botës.