Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit u përmend që shërbimi ushtarak të bëhet i obligueshëm në Kosovë. Sipas tij, një shërbim i tillë do të ndihmonte FSK’në në përmbushjen e detyrave në fushën e mbrojtjes. Mirëpo, edhe pse i dëshirueshëm edhe nga drejtuesit e institucioneve të sigurisë në Kosovë nuk ka kushte për këtë shërbim edhe pse ka kapacitet.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës – Gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se pavarësisht se janë në favor të shërbimit ushtarak, duke pasur në dispozicion 26 mijë maturantë ( që automatikisht nëse realizohet kjo i bie të kryejnë shërbimin) kjo çështje do një analizë më të detajuar dhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Rama, i ftuar në Studion e Hapur në RTK me Trëndelina Ramadanin, tha se shërbimi ushtarak si premtim i qeverisë është një zotim politik, ndërsa foli edhe për përgattitjen e FSK’së në këtë aspekt.
“Për këtë ne kemi diskutuar edhe me ministrinë, kryeministrin dhe me të tjerët, dhe ne duhet ta bëjmë një analizë. Mua më kujtohet kur kemi filluar me planin gjithëpërfshirës sa ka marrë kohë dhe me sa detaje duhet të punohet. Unë nuk jam kundër asaj, përkundrazi jam në favor të asaj që të kemi shërbim të obligueshëm por që do një analizë dhe një përfshirje të të gjithë akterëve, si vendorë ashtu dhe ndërkombëtarë”, tha Rama në Rtk, trasnmeton Gazeta Metro.
Rama, ndër të tjerash foli edhe për antëtarësimin në NATO’n duke thënë se edhe për të qenë pjesë e saj, ne duhet t’i plotësojmë disa kritere, ndërsa për të kryer shërbimin ushtarak theksoi se duhet të marrim shembull nga vendet partnere dhe të dallojmë të mirën nga e keqja, dhe të bëjmë një përfshirje të shumë ekspertëve që të arrihet qëllimi.
“Ne e përmendem NATO’n, por për të qenë pjesë e saj ne duhet t’i plotësojmë disa kritere, dhe kemi disa vende nga partnerët tanë që mund t’i marrim si modele, dhe nga aty të bëjmë një analizë se cila është më e mira dhe e keqja e gjithë procesit por që don përfshirje të të gjithë ekspertëve të fushave, duke filluar nga ne si FSK, pastaj ekspertëve të fushave tjera dhe të gjejmë një model që është i përballueshëm për Kosovën”, tha ai.
Ndërsa sa i përket buxhet aktual të Kosovës për të kryer shërbimin ushtarak, Rama tha se është kosto e papërballueshme.
“Nëse nisemi nga buxheti aktual i vendit, dhe atij që do të ndahet më duhet të them se Kosova nuk ka buxhet për të bërë shërbimin ushtarak të obligueshëm”, shtoi Rama, duke theksuar se FSK’ja është gjithmonë e gatshme për të dhënë kontributin e saj me aq sa mund të bëj në këtë drejtim.
Rama tha se duhet të jemi shumë të kujdesshëm rreth idesë dhe qëllimit në këtë drejtim, pasiqë është temë shumë e rëndësishme dhe duhet të dihet saktë se në çfarë forme do të realizohet.