Autoritetet shëndetësore në Belgjikë i kanë raportuar 303 viktima të reja të koronavirusit gjatë 24 orëve të kaluara. Numri i përgjithshëm i rasteve fatale shkoi në 3,903.
Ndonëse shifrat e përgjithshme të të prekurve dhe të viktimave në këtë shtet duken të vogla në krahasim me vendet e tjera evropiane, nëse shikohet numri i të prekurve për një milion banorë, Belgjika është tashmë më e prekur se Italia.
Ky shtet me sipërfaqe relativisht të vogël i ka rreth 11.5 milionë banorë, kurse Italia 60.5 milionë banorë. Sidoqoftë, numri i viktimave të sotme në Belgjikë nuk është shumë larg shifrës që u shënua dje në Itali – 431.
Përpos viktimave, për 24 orë u regjistruan edhe 942 raste të reja të infektimeve. 310 prej tyre u dërguan në spital, ndërsa 239 pacientë u liruan nga spitalet, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Sipas autoriteteve, 1,234 pacientë ndodhen në repartet e kujdesit intensiv për shkak të gjendjes më të rëndë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Belgjikë është 30,589 persona.