Rreth dy muaj pasi ka filluar greva e kirurgëve në QKUK, nga nesër pritet të kthehet ritmi i punës në Klinikat e Kirurgjisë.
Kjo për shkak se siç ka mësuar “Koha Ditore” një takim i gjatë i zhvilluar të enjten mes përfaqësuesve të kirurgëve m ministrit, Uran Ismaili dhe drejtorit, Basri Sejdiu ka përafruar qëndrimet e të gjitha palëve.
Burime të gazetës brenda këtij takimi kanë treguar se ministri Ismaili është pajtuar që të krijojë një komision që të shoh ndonjë modalitet për kompensim shtesë financiar jashtë page për kirurgë. Sipas një burimi kjo mund të bëhet duke u thirrur në dy komponentë të punës se kirurgëve për të cilat komponenta mund të përfitojnë të ardhura shtesë.
“Bëhet fjalë për mentorimin dhe rrezikshmërinë. MSh-ja është pajtuar që të krijojë komision për të gjetur modalitet për pagesën e tyre”, ka thënë një burim i gazetës.
Kompensimi financiar parashihet me Ligjin për Shëndetësi por një gjë e tillë nuk është kompensuar asnjëherë. Kompensimi financiar për këto çështje me ligj nuk është i përcaktuar për vetëm një profil shëndetësor por për të gjitha profilet.
“Të gjithë profesionistët shëndetësorë me kualifikim specialistik që kanë më shumë se tri (3) vite të përvojës së punës specialistike në institucionet ku zhvillohet procesi edukativ– arsimor nga paragrafi 2. i këtij neni janë mentor klinik dhe marrin kompensim financiar për punën e tyre në bazë të aktit nën-ligjor nga paragrafi 1. i këtij neni si dhe aktit nën-ligjor të nxjerrë nga Ministria”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 22.
Në anën tjetër rrezikshmëria parashihet me rregullore të tjera por që deri tash përveç përmes ditëve të lira nuk është zbatuar asnjëherë kompensimi financiar I rrezikshmërisë se profileve të tjera. Kirurgët nuk janë pajtuar që nga fillimi me rritjen e pagës rreth 100 për qind sa paga baza që aktualisht e kanë.
Me Ligjin e Pagave mjekët specialistë pritet të paguhen rreth 1200 euro. Megjithatë kirurgët kanë përsëritur disa herë se pagë e pranueshme për ta është paga rreth 1800 euro.