Fjalë Kyçe

A po komplikohet transferimi i Hazardit në Real Madrid?

A po komplikohet transferimi i Hazardit në Real Madrid?

Real Madridi dëshiron ta kompletojë transferimin e Eden Hazardit gjatë afatit kalimtar të verës së këtij viti, mirëpo tani është bërë e ditur se madrilenët nuk do të pranojnë të paguajnë çfarëdo shumë për ta marrë belgun në skuadër.

“Los Blancos” e konsiderojë Hazardin si njeriun e duhur për ta drejtuar sulmin e skuadrës pasi që besojnë se belgu është i guximshëm dhe e shpreh këtë gjë edhe në fushën e lojës, transmeton Gazeta Express.

Edhe vet Hazardi raportohet se e dëshiron këtë transferim pasi që ai ka ëndërruar të jetë pjesë e ekipit të Real Madridit që kur ishte i vogël. Belgu ka bërë të ditur se ai e ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij dhe ky vendim besohet se është për transferimin në Madrid.

Drejtuesit e Real Madridit dëshirojnë që ëndrra e tij të bëhet realitet dhe ta përforcojnë skuadrën e tyre me Hazardin, që konsiderohet si njëri ndër lojtarët më të mirë në Premierligë. Madrilenët janë të gatshëm t’i paguajnë deri në 110 milionë euro për belgun.

Madje, Real Madridi do të tentojë ta transferojë 28-vjeçarin për një shumë edhe më të ulët, pasi që kontrata e tij me klubin londinez përfundon më 30 qershor të vitit 2020, kur Hazardi mund të largohet nga Stamford Bridge si transferim i lirë.

Mirëpo, as madrilenët dhe as Hazardi nuk dëshirojnë të presin për edhe një sezon tjetër për këtë transferim, kështu që madrilenët do të tentojnë të arrijnë marrëveshje me londinezët për shitjen e belgut.

Për ta arritur këtë marrëveshje, Real Madridi do të detyrohet t’i kërkojë Hazardit t’u bëjë më shumë presion drejtuesve të klubit të tij aktual, edhe nëse i prish plotësisht marrëdhëniet me tifozët, ashtu siç kishte bërë Thibaut Courtois.