Ambasadori spanjoll në Beograd, Raul Bartolome Molina, ka deklaruar se mos njohja e Pavarësisë së Kosovës po i shkakton probleme Spanjës në organizata ndërkombëtare.
Ai ka thënë se ata nuk e kanë njohur Kosovën për shkak se e respektojnë të Drejtën Ndërkombëtare dhe parimet e saj.
“Spanja nuk e njeh Kosovën sipas parimit të drejtës ndërkombëtare siç është respektimi i integritetit territorial, parim ky i cili u shkel kur autoritetet në Prishtinë e shpallën Pavarësinë në mënyrë të një anshme”, ka thënë Molina për Novosti, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë se deri më tani Madridi nuk ka qenë nën presion për të ndryshuar qëndrimin e tyre ndaj Kosovës.
Kur u pyet për t’i komentuar spekulimet e fundit se Spanja e ka në plan të hapë zyrë ndërlidhëse në Prishtinë, Molina deklaroi se kjo nuk do të supozonte ndryshimin e pozicionit spanjoll.