Fjalë Kyçe

AAK-ja kërkon që dinari të mos jetë “mollë sherri” drejt integrimit evropian

AAK-ja kërkon që dinari të mos jetë “mollë sherri” drejt integrimit evropian

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vlerësuar se Qeveria po krijon tema që janë në dëm të qytetarëve, siç është çështja e dinarit, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se në Bruksel guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës ka sqaruar për lehtësirat për qytetarët në atë pjesë të veriut.

Nga VV-ja kanë përmendur lehtësirat që po u mundëson Banka Qendrore sa i përket këmbimit valutor, ndërkaq nga AAK-ja kërkojnë më shumë kujdes, në mënyrë që kjo temë të mos bëhet “mollë sherri” në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se çështja e dinarit nuk është dashur të diskutohet fare në Bruksel, pasi Kosova që nga viti 2002 operon me valutën euro. Sipas tij, Qeveria po krijon tema që e pengojnë përparimin e Kosovës.

“Çështja e dinarit është vendim i brendshëm i Kosovës. Valuta euro është valutë tash e 22 vjet dhe nuk duhet të diskutohet as në Bruksel e askund tjetër. Problemi qëndron se kjo qeveri do të thotë i nxjerr disa tema pa kurrfarë nevoja që pastaj kthehen në tema që e pengojnë ecjen e Kosovës përpara dhe në veçanti e pengojnë Kosovën në rrugëtimin e vet në formësimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Kjo ka ndodhur, pra nuk duhet diskutohet dinari askund, mirëpo duhet të trajtohet me partnerët tanë Kosovë që të gjendet një zgjidhje. Është tepër me rendësi që kjo të mos na bëhet mollë sherri në rrugëtimin tonë drejt integrimit tonë Evropian”, u shpreh Tahiri.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, ka thënë se BQK-ja ka ofruar shumë lehtësira për qytetarët në atë pjesë sa i përket shërbimeve bankare.

“Unë mendoj që është qartësuar me vizitën që zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës që e kanë bërë në Bruksel. Guvernatori i Bankës Qendrore e dha njoftimin lidhje me të gjitha sqarimet që ka pasur nevojë të diskutohen me të gjitha palët e interesuara në Bruksel në lidhje me lehtësirat që Banka Qendrore e Kosovës ka ofruar për të gjithë qytetarët në pjesën veriore të Kosovës me qëllim që ata të mos kenë as një vështirësi sa i takon qasjes në shërbimet bankare”, ka thënë Hyseni. /EO