Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, thotë se AAK do ta mbështesë nismën e deputetit Bekim Haxhiu për tërheqjen e mjeteve prej rreth 30% nga Trusti pensional.
Besnik Tahiri tha se partia e Ramush Haradinajt do ta mbështesë këtë nismë për, siç tha ai, zbutjen e gjendjes së rëndë të qytetarëve të Kosovës.
“Siç kemi pasë edhe deklarime publike, ne do ta mbështesim iniciativën e deputetit, Bekim Haxhiu për tërheqjen e mjeteve nga Trust-i pensional, në mënyrë që ta zbusim gjendjen e rëndë të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Tahiri për reporterin.net.
Ndryshe, deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka propozuar javën që shkoi edhe një tërheqje të mjeteve prej 30% nga Trusti, pasiqë, sipas të njëjtit, qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me një krizë si rezultat i ngritjes së çmimit të energjisë elektrike si dhe ngritjes së çmimeve të produkteve bazë.
Ndërkaq, në lidhje me tërheqjen e mjeteve nga Trusti, sot ka folur edhe ish-kryeministri Isa Mustafa. Ai ka thënë se se njerëzit kursejnë për të pasur një siguri në të ardhmen, e nëse tërhiqen mjetet nga Trusti, sipas tij, mundet të ketë një tjetër rritje të çmimeve dhe inflacion.
“Prandaj, edhe pse e kuptoj nevojën që kanë qytetarët për shkak të rritjes së çmimeve, nuk do të preferoja që të preket Trusti. Edhe një gjë duhet ta kemi parasysh. Nëse tërhiqen mjetet nga Trusti, do të rritet kërkesa në treg, por në rrethanat që jemi nuk do të rritet edhe oferta. Kjo do të çojë në rritje të çmimeve dhe në inflacion. Parat e tërhequra do të vlejnë më pak. Qeveria ka hapësirë të veprojë me ulje të tatimeve, akcizave, të ndihmojë kategori të caktuara”, ka thënë Mustafa.
Nga ana tjeter, kryetarja e grupit parlamentar të LVV, Mimoza Kusari-Lila, është shprehur se grupi parlamentar i VV-së nuk e mbështesin tërheqjen e mjeteve nga Trusti pensional.