Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se vetë gjatë kësaj jave ka nënshkruar shtatë tenderë sekret.
I pari i LDK-së, nëprmjet një video-mesazhi, ka thënë se çdo postim i Qeverisë dhe çdo deklarim i tyre është i mbushur me propagandë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Merreni për shembull temën e investimeve kapitale ku thonë se janë më të lartat në histori, për të bërë vetën të duken më mirë besoni ose jo i llogarisin edhe investimet e komunave, aty ku ne si LDK kemi rol qeverisës”, ka thënë Abdixhiku.
Ai u shpreh se “investimet e Qeverisë në këto tre vitet e fundit janë vetëm 11%, më të ulëta në historinë e Kosovës. Ose merreni për shembull propagandën e tyre rreth Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë tek rasti i konfiskimit të aseteve të Radoiçiqit, në të cilin përndryshe kanë folur vet këta. Por për Byronë thonë se po e bllokon opozita”.
“Byronë e Konfiskimit të Pasurisë e ka votuar LDK-ja, e di sepse e kam votuar vet. Sepse isha aty sepse pushteti s’kishte vota për ta votuar atë. Vetëm falë votave tona u votua Byroja e Konfiskimit të Pasurisë. U votua sepse e kishim program tonin elektoral, ishte ide e jona fundja. Sepse besojmë se hajnat duhet vërtetë të jenë në burg”, ka shtuar ai..
Kreu i LDK-së a thënë se “kur jemi tek hajnat dhe tek burgu vetëm gjatë kësaj jave, vetëm për 5 ditë pune janë nënshkruar plot 7 tenderë të rinj sekret në këtë Qeveri. 4.1 milionë euro të reja janë dhënë në tavolinë sy më sy. Më s’janë 781 kontrata janë 788, më s’janë 209 milionë euro, janë 213 milionë euro”.
Partia e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, ka filluar ciklin e prezantimit, siç e kanë quajtur ata, “Faktet para Propagandës” ku sipas LDK-së, do të prezantohen fakte zyrtare, të cilat demantojnë propagandën dhe manipulimin e Qeverisë mbi këto çështje.