Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka vizituar sot Prekazin, ku është pyetur nga gazetarët për qëndrimin e partisë që drejton lidhur me çështjen e presidentit.
Por as sot Abdixhiku nuk ka dhënë një përgjigje të prerë, nëse partia e tij do ta votojë apo jo Osmanin.
“Meqë jemi në këtë tempull këtu, mesazhi që dua të përçoj është që do të punojmë për interesin e Republikës së Kosovës, ky interes nënkupton që të jemi konstruktiv dhe të afërt mes vete duke projektuar idetë tona dhe shërbyer institucioneve të Republikës së Kosovës. Prandaj do të jemi konstruktiv duke mbrojtur idetë dhe idealet e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku më tej tha se në Preka ka shkuar për të kujtuar sakrificën e Jasharajve.
“Jemi ardhë këtu për të nderuar themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës, për të kujtuar sakrificën e Jasharajve, këtë sakrificë e nderojmë dhe na shërben si inspirim për të punuar për këtë vend”, pohoi ai.