Lidhje Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për ndarjen nga 100 euro për pensionistët, sektorin publik, privat dhe studentët.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se Qeveria po e zëvendëson mungesën e politikave zhvillimore të investimeve të mëdha kapitale në vend me populizëm.
Sipas tij, 100 milionë euro janë para të humbura me një vendim, pasi që thotë se kjo politikë sociale është pa efekt.
“Përveç se e padrejtë, kjo politikë sociale është edhe pa efekt. Në njërën anë 100 euro për vetëm një muaj, s’zbusin asgjë; në anën tjetër 100 milionë euro gjithsejtë janë para të humbura me një vendim. Nuk besoj se ka pasur, ka e do të ketë diku tjetër në botë ndonjë politikë kaq të madhe me kaq pak ndikim. Popullzimi këtë ka. Blenë paqe sociale duke ushqyer varfërinë”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, për të cilin tha se sot dëshmoi se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim, duke e quajtur “ekspert – tani i komunikacionit rrugor dhe gjurmëve në asfalt”.
“Albin Kurti sot dëshmoi përfundimisht se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim. Beson se me intervenim një mujor, mund ta bëjë të harrohet kriza e përballueshmërisë. Me 100 euro s’blihet shtrenjtimi i rrymës për 100%. Me 100 euro s’blihen vizat e punës për 120 mijë kosovarë. Me 100 euros s’blihet inflacioni dyshifror që vazhdon edhe përtej këtij muaji të shënojë rritje rekord. Me 100 euro s’blihen pagat e ulëta në sektorin privat e publik pa dallim. Me 100 euro nuk blihet papunësia, nepotizmi, mungesa e investimeve e regresi shoqëror. Politika zhvillimore është art. Këtë art, eksperti – tani i komunikacionit rrugor dhe gjurmëve në asfalt – s’ka se si ta kuptojë”, shkroi ai.
Kreu i LDK-së tha se kur ai të vijë në pushtet s’do të ketë vendime të tilla.
“Në qeverisjen time, masa të tilla të çastit e pa ndikim, s’do të kenë vend në asnjë vendim. Njerëzit në hall natyrisht se mirëpresin secilën ndihmë. Por duke i privuar ata nga projektet madhore e zhvillimore, në këmbim të lëmoshës së përkohshme, politikanët tregojnë jolidership. Mund dhe të merr kohë, por do ta kuptoni, se kjo lloj politike është tregtim i së ardhmes tuaj për një grusht mbështetje të përkohshme që s’zgjatë as edhe një muaj”.