Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për vendime të njëanshme për çështjen e grevave, të cilat sipas tij, e thellojnë edhe më shumë përçarjen dhe mbajnë shkollat e mbyllura.
Kreu i LDK-së përmes një reagimi në Facebook të shtunën ka thënë se Kurti nuk arriti ta trajtojë me respekt shtetari problemin e mësimdhënësve tanë
“Sot, Kurti dështoi të kapërcej veten. Refuzoj dialogun dhe nuk arriti të trajtojë me respekt shtetari problemin e mësimdhënësve tanë – njerëzve të këtij vendi. Zgjidhjet e tij të njëanshme që nuk plotësojnë nevojat themelore të mësimdhënësve, janë veçse improvizim. Si i tillë, ky plan pa dialogim, thellon përçarjen e mbanë shkollat tona të mbyllura”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku i bëri me dije Kurtit se “komunikimi në distancë me mësimdhënësit tanë në këtë krizë është veçse ofendim”.
“Qeveria ka për obligim që inflacionin prej 20% ta përkthejë në rritje të të hyrave për të gjithë. Për fillim, pushteti duhet të bisedojë me mësimdhënësit tanë pa arrogancë e pa hezitim”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.
Kurti mbajti një konferencë për shtyp sot, ku hodhi kritika të rënda për SBASHK-un, të cilët kanë hyrë në grevë që nga 25 gushti.