Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë të premten se ndalja e pagave nga qeveria për punëtorët e sektorit publik që janë në grevë është e papranueshme dhe joligjore.
Kryetari Abdixhiku pas takimit me kryetarin e këshillit grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj, theksoi se Kosova ka nevojë për qetësi, por jo për polarizime. Derisa shtoi se ka nevojë që kjo krizë të zgjidhet me dialog.
Ai tha se LDK konsideron që dialogu mes sindikatave dhe Qeverisë së Kosovës është imperativ, në mënyrë që nxënësit të kthehen sa më parë në shkollë, por edhe mësimdhënësve në të gjitha nivelit t’iu kthehet dinjiteti që e meritojnë.
Sipas Andixhikut, është e papranueshme që për muajin gusht, kur nuk ka pasur pasoja në sistemin arsimor të ndërpriten pagesat në fjalë.
“Gjëja e fundit që konsiderojmë që është e domosdoshme tani është penalizimi i mësimdhënësve tanë në këtë krizë të rëndë ekonomike. Këta janë njerëzit tanë, janë familjet tona, janë qytetarët e Kosovës. Kemi ngritur dyshimet tona serioze se si është e mundur që për muajin gusht, kur nuk ka pasur pasoja në sistemin arsimor të ndërpriten pagesat në fjalë. Pra, është dënim jo ligjor, nuk ka bazë ligjore siç kemi ngritur edhe dyshimet tona të plota që bëhet për një dënim tërësisht kolektiv ndaj të gjithë mësimdhënësve në nivel të Kosovës pa paragjykuar betejën gjyqësore. Si LDK I kuptojmë dhe mirëkuptojmë kërkesat e mësimdhënësve, gjithashtu vlerësojmë se kthimi në bankat shkollore për nxënësit tanë është e nevojshme dhe e domosdoshme. Kosova ka nevojë për qetësi, por jo për polarizim. Ka nevojë që të zgjidhen çështjet në dialog, por që do ta ngrisim zërin tonë në Kuvend që këto padrejtësi të pakuptimta të mos gjejnë vend në Kosovë ”, theksoi ai.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se ka kërkuar takime me të gjitha subjektet politike parlamentare me të vetmin qëllim që të arrihet një dialog për normalizimin e punës në administratë dhe shkolla.
“Bashkërisht u pajtuam se situata në të cilën jemi nuk është e mirë ngase humbësit më të mëdhenj janë nxënësit. Angazhimi ynë, që të jemi korrekt, letër kërkesat për takim sot ia kemi dërguar edhe partisë në pushtet, edhe subjekteve tjera politike parlamentare, me apelin dhe lutjen që ata të ngrisin zërin dhe ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre pozitiv për të mundësuar dialogun me qeverinë, dialog ky i munguar plotësisht. Dialogu duhet të ndodhë, të vetmen dëshirë që t’i kthehet normaliteti edhe administratës, por edhe shkollave tona”, theksoi ai.
Ai tha se janë në pritje që të takohen edhe me presidenten, Vjosa Osmani.
Ndërsa, gjatë ditës pritet që drejtues të BSPK-së të takohen edhe me PDK-në.
Greva në vend ka filluar nga 25 gushti e që po vazhdon me kërkesën për ndarjen nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit për pagat.