Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë.
Abdixhiku në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ka publikuar edhe listën e produkteve që janë shtrenjtuar këtë vit, derisa ka thënë se kjo rritje enorme vendos kosovarët në krizën e papërballueshmërisë së përditshme.
Tutje, ai thotë kur çmimet po rriten, Qeveria po vazhdon të jetë vetëm spektatore.
“Përballë kësaj krize, Qeveria Kurti ka braktisur detyrat e saj. Në kulmin e rritjes, ajo vazhdon të jetë vetëm spektatore. Vështron krizat barabartë me secilin qytetar. Asnjë masë fiskale, asnjë politikë qeveritare, asnjë pako zhvillimore e ndërmarrë deri më tash. Paaftësia qeverisëse kushton. Paaftësia e kësaj Qeverie kushton shumë.”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Kosova po përballet me valën më të rëndë të papërballueshmërisë së çmimeve në historinë e saj. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës – raportit të publikuar sot – për vetëm një vit, çmimet e produkteve më bazike ushqimore e të shërbimeve kanë prekur rekorde të reja në vend.
Mielli është shtrenjtuar për 29%, buka për 17%, vaji për 46%, sheqeri për 23%, patatet për 24%, domatet për 30%, nafta e benzina për gati 30%, e energjia elektrike – pa subvencion – nga 85-104%. Janë çmime të rritura për vetëm 1 vit. Kjo rritje enorme, e paprecedentë deri më tani, vendosë kosovarët në krizën e papërballueshmërisë së përditshme.
Përballë kësaj krize, Qeveria Kurti ka braktisur detyrat e saj. Në kulmin e rritjes, ajo vazhdon të jetë vetëm spektatore. Vështron krizat barabartë me secilin qytetar. Asnjë masë fiskale, asnjë politikë qeveritare, asnjë pako zhvillimore e ndërmarrë deri më tash. Paaftësia qeverisëse kushton. Paaftësia e kësaj Qeverie kushton shumë.
Politika publike duhet të jetë e gjallë. Vizionet zhvillimore duhet të jenë të mëdha; të guximshme. Ngurtësimi në retorikë të thatë, herët apo vonë sjellë krizë. Dhe me çmime inflative si këto, ky vend veçse po futet në krizë.