Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas ftesës që u ka bërë partive politike që të shkurtojnë fushatën për zgjedhjet lokale të tetorit 30 ditë në 10 ditë për shkak të gjendjes më shëndetin publik, tha se përgjigje nuk mori vetëm nga Albin Kurti i Vetëvendosjes.
“Në orën 11:45, kam marrë përgjigje pozitive, në formë të shkruar, nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj; madje me një propozim të ri që fushata të mos zgjasë më shumë se 5 ditë”.
“Në ora 18:00, ndërsa, kam marrë konfirmimin tjetër nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi, i cili, po ashtu ka shprehur gatishmëri për një shkurtim eventual të fushatës zgjedhore. I falënderoj të dy për përgjigjet e menjëhershme”.
“Ende nuk kam marrë as konfirmim e as pranim propozimi nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, z. Albin Kurti; të cilin e ftoj sërish, t’i bashkëngjitet kësaj nisme e nga aty edhe takimit eventual të të gjithë liderëve për definim formal të paktit në fjalë me gjithë propozimet e deritanishme e të tjerat që mund të vijnë”.
Abdixhiku ka thënë se hapat tonë partiakë shërbejnë në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor demokratik më 17 tetor “të sigurt për të gjithë, përgjegjës ndaj të gjithëve”.