Fjalë Kyçe

Abrashi deklarohet për vjedhjen e dy milionë eurove: Ministra është dëmtuar

Abrashi deklarohet për vjedhjen e dy milionë eurove: Ministra është dëmtuar

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka deklaruar se të gjitha informacionet që ka pasur sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi lidhur me vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit i ka bërë të ditura menjëherë tek Thesari si dhe tek organet e rendit.

Duke u deklaruar për vjedhjen e 2 milionë, ai tha se informacionet që i njëjti i mori me datën 19, në po të njëjtën ditë i bëri të ditura tek policia dhe të tjerët.

“Atë çka mundemi me iu siguru është se sekretari i përgjithshëm i MI-së, informatën për një transaksion të paligjshëm e ka pranuar me datën 19, si të dyshimtë menjëherë e ka lajmëruar tek Thesari dhe kur është vërtetuar se transaksioni ka qenë i tillë rasti ka vazhduar edhe në polici dhe tek organet e tjera të rendit”, tha ministri Arbashi, transmeton lajmi.net.

Ai tutje tha se mund të tërheq dilemën e çdokujt se ministria, sekretari apo kushdo qoftë nga zyrtarët e tjerë kanë pasur informata disa ditore dhe nuk kanë lajmëruar.

“Ajo çka dihet është se informatën e ka marrë me 19 dhe atë ditë ka lajmëru të gjithë. Prandaj jemi këtu të largojmë këtë dyshim dhe të tregojmë se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë ata që po bëjnë hetimet, për të ofruar informata nga vetë procesi, apo edhe profesionale se si shkon ky proces i pagesave. MI është palë e dëmtuar dhe është dëmtu shumë, janë dëmtu taksat e qytetarëve dhe një numër i projekteve me rëndësi për qytetarët dhe zonat ku realizohen këto projekte”,shtoi Abrashi.

Ai deklaroi se do të bëjnë çmos që këto taksa dhe mjete të kthehen në buxhetin e ministrisë.