Fjalë Kyçe

Ademi pasi i ‘shpëtoi burgut’: Sot u konfirmua pafajësia ime

Ademi pasi i ‘shpëtoi burgut’: Sot u konfirmua pafajësia ime

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme për të kthyer në rigjykim rastin e tij.

Ademi ka thënë se sot është konfirmuar pafajësia e tij dhe se gjatë aktgjykimit janë bërë shkelje të shumta.

Gjykata Supreme sot ka rikthyer në rigjykim rastin e kryetarit të FFK’së Agim Ademi dhe Muharrem Rama.

Me anë të një komunikate për media Gjykata Supreme ka njoftuar se sot është kthyer në shkallën e parë lënda e dy të dënuarve Ademi dhe Rama.

Pas këtij vendimi, ka reaguar vet Agim Ademi me anë të një komunikate lëshuar në faqen zyrtare të FFK’së.

Ademi tha se sot është konfirmuar pafajësi e tij në lidhje me pretendimet e pabazuara të Prokurorisë së Republikës së Kosovës, transmeton Gazeta Metro.

”Me këtë aktgjykim, u konfirmuan shkeljet e shumta në të cilat ishin përfshirë Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit të Kosovës, të cilat padrejtësisht më shpallen fajtor në lidhje me veprën penale që pretendohej nga prokuroria.Që nga fillimi i këtij procesi penal, kam qenë i bindur në pafajësinë time dhe besimin në drejtësi, të cilën e vërtetoi edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, me kthimin e çështjes në rivendosje. Besimi im në organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës nuk ka munguar asnjëherë, ashtu që ky besim më është shtuar pas këtij vendimi të drejtë dhe të ligjshëm për të cilin u njoftova sot”, ka thënë presidenti i FFK’së.

Tutje ai ka falënderuar për besimin dhe përkrahjen Federatën e Futbollit të Kosovës, organet e saj, bashkëpunëtoret si dhe avokatët  e tij.

Më poshtë keni njoftimin e plotë të Gjykatës Supreme në lidhje me çështjen e Agim Ademit:

Prishtinë, 25 gusht 2020 – Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale të të dënuarve A.A., dhe M.R., për shkak të veprës penale detyrimi në tentativë, ka aprovuar si të bazuara kërkesat e tyre për mbrojtje të ligjshmërisë dhe çështjen e ka kthyer për rigjykim, në shkallë të parë.

Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim.