Një djalë adoleshent, i cili kishte pësuar djegie të tmerrshme kur ishte fëmijë dhe nga to ishte verbuar, shpreson se do të mund të shohë përsëri pasi t’i nënshtrohet një operacioni të ndërlikuar me metoda të reja të mjekimit.
Zaid Garcia, 16 vjeç, i kishte habitur mjekët kur u kishte mbijetuar djegieve që e kishin kapluar 80 për qind të trupit të tij pasi flaka e një qiriri e kishte djegur dhomën ku ndodhej kur ishte vetëm dy vjeç.
Familja e tij ka nisur të grumbullojë të holla përmes internetit që djali t’i nënshtrohet një operacioni për largimin e një shtrese lëkure që ia mbulon sytë dhe për konstruktimin e kapakëve të syve në mënyrë që ai të mund të shohë përsëri, shkruan “Metro UK”.
“Kur isha dy vjeç e gjysmë, nëna më dërgoi në shtrat për të fjetur dhe një qiri u rrëzua dhe e ndezi dhomën. Isha shumë i lënduar. Kam pasur aq shumë operacione, saqë as nuk më kujtohet. M’i këputën dy duart, por i kam këmbët”, tha djaloshi.
“Mjekët m’i kanë mbyllur sytë me lëkurë. Nuk e di pse thjesht nuk m’i kanë hequr. Ndoshta sepse kanë menduar se do të shoh në të ardhmen”, shtoi ai.
“Shpresa ime e ardhshme është që të më kthehet shikimi. Kam qenë i verbër që nga koha e aksidentit. Nëse i nënshtrohem këtij operacioni, do të ishte hera e parë që e shoh botën si duhet”, tha Zaidi.
Ai ishte aq i pikëlluar me reagimet e njerëzve, saqë një herë ka provuar të bëjë vetëvrasje.