Fjalë Kyçe

Afganistani është tani pjesë e botës post-amerikane

Afganistani është tani pjesë e botës post-amerikane

Rënia e Kabulit në duart e Talebanëve – 20 vite pasi u rrëzuan nga pushteti – do t’i japë fund ndoshta për dekada të tëra ndikimin të SHBA-së në Afganistan. Në këtë kuptim, kjo që po shohim është e krahasueshëm me rrëzimin e Shahut të Iranit në vitin 1979, me rënien e Saigonit në vitin 1975 apo me Revolucionin Kuban të vitit 1959.

Teksa SHBA-ja po ikën, Talebanët do të kërkojnë të ndërtojnë marrëdhënie me një sërë aktorësh të tjerë, përfshirë Kinën, Pakistanin dhe shtetet e Gjirit. Sundimtarët e rinj të Afganistanit duken të etur për njohje ndërkombëtare dhe për tregtinë dhe ndihmën që do të vijë prej saj.

Kjo dëshirë mund t’i bindë Talibanët që të modelojnë disi impulset e tyre më fanatike.

Trajtimi i grave afgane dhe i armiqve të mundur nga ana e Talebanëve do të shihet me vëmendje nga jashtë vendit.

Disa nga zëdhënësit e organizatës kanë sugjeruar se në dallim nga periudha e tyre e parë në pushtet, Talebanët do t’i lejojnë gratë që të punojnë dhe të arsimohen. Por shumë gra afgane, aktualisht të përfshira në politikë dhe shoqëri civile, janë thellësisht mosbesuese.

Qeveritë e huaja nuk janë auditori i vetëm ndërkombëtar që mund t’u interesojë Talebanëve. Fakti që një lëvizje e dhunshme islamike ka arritur të mposhtë SHBA-në, do të jetë një nxitje për xhihadistët në të gjithë botën,të cilët tani mund ta shohin si një shembull udhëzues dhe frymëzues Afganistanin e udhëhequr nga Talebanët.

John Allen, një ish-komandant i forcave amerikane dhe aleate në Afganistan, parashikon tani që “me largimin e forcave amerikane, Al-Kaeda të veprojë hapur nga Hindu Kushi”. Administrata e presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se do të reagojë nëse ndodh diçka e tillë.

Por gjenerali Allen vuri në dukje se operacionet kundër terrorizmit në Afganistan, ishin një “ndërmarrje shumë sfiduese pa kontrollorë të besueshëm në terren”. Ndërkohë Afganistani kufizohet me Kinën, Iranin, Pakistanin dhe Azinë Qendrore, dhe është një fqinj i afërt me Indinë.

Të gjitha këto vende do të shqetësohen se mos dhuna e frymëzuar nga talebanët mund të përhapet edhe në vendet e tyre. India do të përgatitet për më shumë telashe në Xhamu dhe Kashmir, provinca e vetme me shumicë myslimane.

Kina ka arsye të shqetësohet se ujgurët, që po përballen me shtypjen e egër të Pekinit në Xinjiang, mund të gjejnë një bazë në Afganistan. Irani do të jetë i kënaqur kur ta shohë Amerikën të mposhtur, por do të shqetësohet për fatin e Hazarëve, një grupim minoritar shiit, që është persekutuar egërsisht nga Talebanët.

Të gjithë fqinjët e Afganistanit dhe Bashkimit Evropian do të përgatiten për një fluks të madh refugjatësh. Vendi fqinj me situatën më të paqartë dhe të rrezikshme është Pakistani. Për dekada të tëra, qeveria në Islamabad – dhe sidomos shërbimet pakistaneze të inteligjencës, ISI – kanë lejuar strehim të sigurt për Talebanët.

Kjo politikë ishte gjysmë e mohuar dhe gjysmë e justifikuar me arsyetimin se Pakistani kishte nevojë për “thellësinë e tij strategjike”, që nënkuptonte parandalimin e rënies së Afganistanit nën ndikimin e Indisë. Ndikimi i islamikëve të vijës së ashpër brenda Pakistanit, ndihmoi gjithashtu në krijimin e një mjedisi tolerant për Talebanët.

Mbështetja e heshtur e Islamabadit për islamizmin e dhunshëm në Afganistan, i mbijetoi madje edhe zemërimit nga sulmet terroriste në tokën pakistaneze, siç ishte masakra në një shkollë në Peshauar në vitin 2014, në të cilin Talebanët pakistanezë vranë rreth 150 njerëz, mes tyre 132 fëmijë.

Qeveria e Pakistanit vazhdon të pretendojë se ka përdorur “fuqinë e saj maksimale” për t’i detyruar Talebanët të negociojnë. Por përbetimi i tyre nuk besohet shumë. Një zyrtar i lartë afgan m’u ankua kohët e fundit:“Unë nuk kam pasur asnjëherë një takim të keq me pakistanezët. Problemi është se ata nuk i mbajnë kurrë premtimet e tyre”.

Megjithatë, vënia e Afganistanit fqinj nën kontrollin e Talebanëve është një zhvillim i rrezikshëm për vetë Pakistanin. Xhihadistët brenda vendit do të marrin zemër nga kjo fitore. Kufiri afro 2600 km midis dy vendeve është tradicionalisht i përshkueshëm nga trafikantët.

Talebanët pakistanezë duket se tashmë janë riaktivizuar. Muajin e kaluar ata morën përgjegjësinë për 26 sulme terroriste në Pakistan, përfshirë një sulm kamikaz që vrau edhe 9 punëtorë kinezë. Nën shënjestër mund të vihen edhe zyrtarët pakistanezë laikë.

Të gjitha vendet në kufi me Afganistanin do të urojnë që Talebanët të kenë mësuar disa leksionet nga periudha e tyre e fundit në pushtet në vitet 1996-2001,duke mos lejuar që vendi i tyre të shndërrohet sërish në një bazë për xhihadistët ndërkombëtarë.

Nëse Talebanët nuk do të përpiqen të eksportojnë fundamentalizmin e dhunshëm islamik, atëherë marrja e pushtetit prej tyre në Kabul, ka të ngjarë të jetë një zhvillim i mirëpritur për Kinën.

Doktrina e politikës së jashtme të qeverisë kineze, bazohet në parimin e “mosndërhyrjes”, që në thelb do të thotë se Pekini nuk do të marrë asnjë pozicion mbi sistemin politik apo të drejtat e njeriut brenda Afganistanit, me kushtin që talebanët të respektojnë “interesat thelbësore” të Kinës.

Kina tashmë ka sinjalizuar gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me Talebanët, nëpërmjet një takimi të kohëve të fundit të profilit të lartë midis ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi dhe udhëheqësit politik të Talebanëve Mullah Abdul Ghani Baradar.

Rëndësia e këtij takimi nuk qëndron tek fakti qëai u zhvillua, por sepse Pekini e pa të arsyeshme që ta propagandonte atë. Nëse Kina do të arrijë të krijojë një marrëdhënie pune me një qeveri të udhëhequr nga Talebanët në Afganistan, kjo do t’i siguronte Pekinit përfitime ekonomike, si për shembull mundësia e një korridori tranzit në të gjithë vendin, përmes portit të Guadarit në Pakistan të ndërtuar nga kinezët.

Në aspektin strategjik, Kina do të mirëpriste mundësinë e shtimit të presionit mbi Indinë, duke e rritur frikën e Nju Delhit për rrethim nga armiku. Mbi të gjitha, Pekini do të mirëpresë prova të mëtejshme se tanimë po jetojmë në një botë post-amerikane.

(“Financial Times”, përkthyer nga Bota.al)