Fjalë Kyçe

Agim Ademi ua bën “zabran” klubeve të luajnë në ligat serbe në Kosovë

Agim Ademi ua bën “zabran” klubeve të luajnë në ligat serbe në Kosovë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i inatosur thotë se asnjë ndeshje e ligave serbe nuk do të luhet më në Kosovë.

Ai e ka paralajmëruar për këtë edhe Federatën Serbe të Futbollit

Klubet serbe të futbollit me bazë në Republikën e Kosovës nuk e kanë njohur asnjëherë Federatën e Futbollit të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Dhe, si rezultat, ato kanë luajtur vazhdimisht në ligat serbe, nën ombrellën e Federatës Serbe të Futbollit edhe pse kanë vepruar në vendin tonë.

Megjithatë, ky trend duket se do të marrë fund shumë shpejt.

Të paktën për këtë premton presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, sipas të cilit, në territorin e Republikës së Kosovës nuk do të organizohen më ndeshje nga ana e Federatës Serbe të Futbollit.

“Si Federatë, jemi të hapur për të gjitha klubet serbe të Kosovës. Me këtë rast, Trepça nuk do të jetë më në gjendje të luajë në ligat serbe. Nuk do ta lejojmë këtë”, ka thënë Ademi për RTK2.

Ai ka shtuar se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për këtë, që nënkupton se policia dhe UEFA janë informuar për këtë rast.

Ademi shprehet i sigurt se UEFA nuk do t’i lejojë ndeshjet e ligës serbe të luhen në Kosovë.

“Kam biseduar me përfaqësuesit e futbollit serb në UEFA dhe gjërat janë të qarta dhe do të respektohen”, ka shtuar kreu i futbollit kosovar.

Klubet serbe kanë luajtur si në bahçe të babës në Kosovë qe 20 vjet pas luftës.

Madje, edhe ato nga Serbia kanë ardhur dhe kanë luajtur pa marrë leje në territorin e Kosovës ndaj klubeve serbe me bazë në Kosovë.

Ai ka folur edhe për parullat dhe thirrjet e dëgjuara në Bratislavë gjatë ndeshjes së Europa Leagues ndërmjet Slovan Bratislavës dhe Feronikelit.

Ademi tha se sporti dhe politika duhet të mbeten të ndara.

“Mikpritja ka qenë e mirë, mirëpo thirrjet dhe sloganet që janë dëgjuar në tribuna nuk kanë vend në një vend si ky (stadiumi). Jam i bindur se UEFA do të reagojë sepse klubi nga Bratislava para ndeshjes ishte paralajmëruar për këto gjëra”, ka përfunduar Ademi.