Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, është zgjedhur nënpresident i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Në Asamblenë Vjetore të Punës të këtij institucioni Ademi ka fituar në garë me kryetarin e Federatës së Karatesë, Ismet Krasniqi.
Për presidentin e FFK-së votuan 39 delegatë të Asamblesë së KOK-ut, derisa për Krasniqin 38 delegatë. Kësisoj, Ademi u zgjodh në pozitën e nënpresidentit të KOK-ut, pozitë e cila ka mbetur vakante pas vdekjes së ish-presidentit Fadil Vokrri.
“Ju falënderoj të gjithëve për besimin e dhënë. Kjo votë do të jetë gjithmonë vota juaj dhe do ta përdorë për të mirën e KOK-ut. Gara ishte shumë e fortë dhe përgëzoj edhe Ismet Krasniqin i cili u tregua si konkurrent shumë i fortë, por mendoj se vota juaj shkoi aty ku duhet, pasi kjo pozitë edhe më parë i ka takuar dhe është meritore për federatën më të madhe”, ka theksuar para delegatëve të KOK-ut, presidenti i FFK-së, Agim Ademi.