Fjalë Kyçe

Agim Veliu rikthehet në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Agim Veliu rikthehet në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar Agim Veliun për Ministër të Punëve të Brendshme, këtë e ka bërë të ditur mandatari për formimin e Qeverisë, Avdullah Hoti, gjatë një konference për media.

Agim Veliu pritet të rikthehet në karrigen që e lëshoi pas një muaji qeverisje LVV-LDK. I cili koalicion u prish pasi ish-kryeministri Kurti kishte vendosur ta shkarkonte Veliun për shkak të deklaratës së tij se në Kosovë “duhej të shpallej gjendja e jashtëzakonshme”, kur edhe u konfirmuan rastet e para me Covid-19.

Ndryshe, Lidhja Demokratike ka caktuar emrat e ministrave dhe zv/kryeministrit.

Driton Selmanaj do të jetë zv/kryeministër, Armend Zemaj ministër i Shëndetësisë, Arban Abrashi ministër i Infrastrukturës, Hykmete Bajrami ministre e Financave, Besian Mustafa ministër i Bujqësisë, Vlora Dumoshi ministre e Kulturës, Anton Quni ministër i Mbrojtjes dhe Agim Veliu ministër i Punëve të Brendshme.

Ndryshimet që janë vëne re prej qeverisë së kaluar është emërimi i Hykmete Bajramit në ministrinë e Financave në vend të ministrisë së Arsimit, të cilën e drejtoi deri më sot. Si dhe vendimi i Lumir Abdixhikut që të mos jetë ministër i kësaj qeverie. Në vend të Abdixhikut, LDK ka propozuar Arban Abrashin për ministër të Infrastrukturës.