Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar vendimin për mbylljen e Kuvendit të Federatës së Futbollit të Kosovës për gazetarët dhe mediat.
Kuvendi zgjedhor i FFK-së do të mbahet nesër nga ora 11:00, por shtëpia e futbollit kosovar ka vendosur që të mos lejojë praninë e gazetarëve dhe mediave në këtë Kuvend.
FFK-ja është arsyetuar me mungesë të hapësirës për gazetarët, por ky arsyetim po konsiderohet si i paqëndrueshëm nga Asociacioni i Gazetarëve.
AGK-ja ka kërkuar nga FFK-ja të rishqyrtojë këtë vendim.
Reagimi i plotë:
“AGK-ja dënon vendimin për mbylljen e Kuvendit të FFK-së për gazetarët dhe mediat
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për të mbyllur punimet e Kuvendit zgjedhor për gazetarë dhe media, të paraparë për 6 prill.
Sipas njoftimit të FFK-së, vetëm një transmetues do të lejohet në atë hapësirë, por asnjë gazetar.
Arsyetimi i hapësirës është i paqëndrueshëm, pasi që ngjarje të ngjashme janë mbuluar edhe në të kaluarën nga të gjitha mediat e interesuara. Një mbyllje e tillë pamundëson raportimin profesional nga vendi i ngjarjes, për një ngjarje të rëndësishme dhe me interes publik.
AGK-ja kërkon nga FFK-ja të rishqyrtojë vendimin dhe të lejojë gazetarët dhe mediat të kryejnë punën e tyre duke mos u penguar”./express