Fjalë Kyçe

AGK: Pushteti duhet të respektojë punën e gazetarëve

AGK: Pushteti duhet të respektojë punën e gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shënuar të martën Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit me moton “Mediat nuk janë armiku”.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë që ndodh shumë rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave, ndërsa ka kërkuar që njerëzit në pushtet të respektojnë punën e gazetarit.

“Ndodh rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave dhe gazetarët nuk kërkojnë dhe presin një gjë të tillë. Por ajo që presin është që njerëzit në pushtet të njohin rolin dhe profesionin e gazetarit dhe ta respektojnë atë”, theksoi Rexha.

Ai ka thënë se fuqia politike duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari.

“Në vend të nxitjes së urrejtjes ndaj gazetarëve, fuqia politike e pushtetarëve sot duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari duke adresuar fillimisht të gjitha kritikat që janë dhënë nga raporte kredibile ndërkombëtare”, vijoi ai.

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, AGK-ja ka kërkuar që politikanët të ndalin menjëherë bojkotimin e mediave, të japin llogari rregullisht, të respektojnë legjislacionin për qasje në dokumente publike, të mos sulmojnë apo nxisin urrejtje ndaj gazetarëve, dhe të krijojnë kushte për luftimin efektiv të pandëshkueshmërisë së sulmeve ndaj gazetarëve.

Presidentja Vjosa Osmani, përmes një postimi në Twitter ka thënë se në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, nderohen gazetarët të cilët edhe sot vazhdojnë të ngrihen për të vërtetën dhe lirinë.

Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror, e ka renditur Kosovën sivjet në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021.

Presidentja Osmani ka thënë se ky indeks tregon përkushtimin institucional ndaj demokracisë.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, nderojmë gazetarët që i dhanë zë vuajtjeve tona gjatë luftës dhe ata që vazhdojnë të ngrihen për të vërtetën dhe lirinë sot. Indeksi i lirisë së shtypit është një shembull i shkëlqyer i përkushtimit tonë ndaj demokracisë”, tha Osmani.