Kreu i PSD-së dhe i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i është përgjigjur Albin Kurtit, që, mbrëmë ka thënë se ky i pari është i korruptuar.
“Me qejf nuk isha marrë fare me këtë punë. Besoj se edhe Albini e din shumë mirë që kjo nuk është e vërtetë. Por ai udhëheqë një Lëvizje, ku nëse nuk pajtohesh me të brenda natës bëhesh i korruptuar, e kur i nënshtrohesh nuk merret me ty edhe nëse je i tillë. Unë e porosisë të merret me njerëzit që i ka aty, nëse nuk i ka informatat ja jap qysh i kam dhënë edhe në të kaluarën”, ka thënë Ahmeti në “038” të KTV-së.
Por Ahmeti ka thënë se e fton ish partinë e tij që të lë derë të bashkëpunimit e të ecet përpara.
“Unë them të ecin përpara, të lënë derë të bashkëpunimit, sepse Kosova ka armiq më të mëdhenj se njëri tjetrin”, ka thënë Ahmeti, përcjell Koha.net. “Nëse po thonë se jemi parti që i kemi 2 a 3 për qind, atëherë pse 97 për qind të kohës merren me neve”, ka thënë Ahmeti.
Sipas Ahmetit, si duket për Vetëvendosjen nuk ka asnjë komunë tjetër përveç Prishtinës.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk po merret as me Prizrenin ku qeverisin, e as me Komunat tjera ku qeverisin të tjerët, por po merret vetëm me Prishtinën”, ka thënë Ahmeti.
Kurti tha se Ahmeti është i korruptuar, kur u pyet nëse do t’i dalë në mejdan televiziv atij.
“Unë nuk jam kryetar i Qendrës së Prishtinës, është Arben Vitija”, ka ironizuar Kurti, kur i është përgjigjur ftesës së Ahmetit për debat televiziv.
“Në çfarë cilësie ka thirrur debat. Në cilësinë e kryetarëve të partive a? A e ka ditur atëherë që është pjesë e delegacionit a jo?. Le t’i mbajmë zgjedhjet e kemi vend për debate”, ka thënë ai.
Kurti nuk dyshon se në qeverisjen e Prishtinës mund të ketë edhe korrupsion. Madje, atë e quan vetëm çështje teknike duke qenë se Ahmetit, sipas tij, tashmë i ka humbur fokusi në qeverisjen e kryeqytetit.
Kur është pyetur se si po qeverisë Ahmeti me Prishtinën, Kurti ka thënë se së pari ka mungesë përkushtimi.
“Dhe së dyti, me dëbimin e Arben Vitisë, Nora Kelmendit dhe Yll Rugovës, praktikisht i ka dhënë sinjal edhe mafisë ndërtimore dhe shumë keqbërësve të tjerë se e ka hequr gardën dhe u ka thënë urdhëroni ta bëjmë Prishtinën siç keni ëndërruar ju, e ju ashtu siç e ka programin Vetëvendosje. Unë besoj se ka devijuar dhe kur devijon korrupsioni është çështje teknike”, ka thënë ai.
“Pra po thoni që është i korruptuar”, ka qenë pyetja direkte.
“Po”, ka thënë Kurti.
Tutje ai ka komentuar edhe mesazhet personale mes grupit parlamentar të PSD-së, ku Ahmeti flet për një borxh të Kadri Veselit ndaj tyre.
“Aty bëhet fjalë për një borxh, tash borxhin privat ta lash me votë publike të deputetit, është vepër penale”, ka thënë ai.