Inspektorët hetues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, gjatë ditës së hënë kanë bërë monitorimin e tregut të çimentos, pas informatave preliminare të marra ditën e shtunë.
AKK fillimisht është njoftuar nga burimet e veta se duke filluar nga e hëna do të ketë rritje të çmimit të çimentos për 1 Euro më shumë për 50Kg në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Dyshimet fillestare janë se prodhuesit dhe importuesit kryesorë të këtij tregu, potencialisht, mund të abuzojnë me pozitën e tyre dominuese ose mund të ketë ndonjë marrëveshje gojore që paralelisht t’i fiksojnë çmimet. Hetuesit e Autoritetit kanë zhvilluar takime të shumta me përfaqësuesit e ndërmarrjeve të ndryshme të këtij tregu, kanë grumbulluar informata kredibile, dhe ua kanë sqaruar dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencë”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Inspektorët hetues të AKK-së të hënën kanë arritur që ta parandalojnë rritjen e çmimit të çimentos në tregun relavant.
“Për të vlerësuar se një ndërmarrje mbanë pozite dominuese ne tregun relevant ai duhet ta kaloj pragun mbi 25% për t’u cilësuar si ndërmarrje dominuese, ndërsa, dy ose më shumë ndërmarrje të pavarura mund të jenë në pozitë dominuese nëse në raport me konkurrentet e tyre veprojnë bashkërisht në tregun relevant si dhe nëse pjesëmarrja e përgjithshme e tyre në treg është më e lartë se dyzet (40%) për qind (pozita dominuese kolektive)”, thuhet tutje.
Abuzimi i pozitës dominuese nga ndërmarrjet, sipas AKK-së, bëhet atëherë kur:
Në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthor vendos çmimin jo real të blerjes apo shitjes, ose kushte tjera të pa drejta tregtare;
Kufizon prodhimin, tregjet ose zhvillimin teknologjik në dëm të konsumatorëve.
Zbatimin e kushteve të ndryshme të transaksioneve për punët e njëjta me ndërmarrjet tjera duke i sjellë ato në një pozitë të pafavorshme në raport me konkurrencën;
Lidhja e kontratave, me kusht që subjektet kontraktuese të pranojnë detyrime shtesë;
Vendosja e çmimeve ose e kushteve tjera, që kanë si objekt ose si pasojë pengimin e hyrjes ose nxjerrjen jashtë tregut relevant të konkurrentëve të veçantë ose të një produkti të tyre.
Refuzimi i hyrjes së një ndërmarrje tjetër, duke i dhënë një shpërblim të përshtatshëm në rrjetin ose në infrastrukturat e ndërmarrjes me pozitë dominuese, nëse ky refuzim i përdorimit të rrjetit ose të infrastrukturave pengon ndërmarrjen tjetër të veprojë si konkurrent i ndërmarrjes me pozitë dominuese.
“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do ta monitoroj këtë treg me shumë kujdes dhe nëse vërehen shenja të shkeljes së Ligjit për mbrojtjen e Konkurrencës do të veprojë menjëherë në ekzekutimin e Ligjit”, thuhet në fund të njoftimit.