Pas 20 viteve të angazhimeve të pasluftës do të duhej ta kisha një adresë, kështu që gjithçka është e raportuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Është gjithçka transparente dhe mund të hyni t’i shihni.
Pavarësisht këtyre deklaratave që presidenti i Kosovës i ka bërë në media, ai nuk e ka deklaruar ende shtëpinë e tij të re në Çagllavicë. Të dhënat që ndodhen në Agjencinë Kundër Korrupsion flasin të kundërtën. Në fakt, ai nuk ka deklaruar asgjë të re që nga marsi i vitit të kaluar, raporton KTV.
Krejt çka ka deklaruar presidenti deri në këtë kohë, sipas drejtorit të Departamentit për Parandalim të Korrupsionit në AKK, Afrim Atashi, janë publike dhe të gjithë qytetarët kanë qasje në to.
Madje, sipas tij, deri në mesditën e 28 shkurtit, asnjë zyrtar publik nuk ka kërkuar përditësimin e të dhënave për rritjen apo humbjen e pasurisë.
Presidenti, tre muaj më parë, kishte mohuar madje edhe ekzistencën e kësaj shtëpie, në të cilën u vendos në javën e parë të janarit.
Thaçi, i cili ka deklaruar se pas 20 vjetësh ishte e udhës të kishte një adresë banimi, kishe tentuar ta ndërtonte një shtëpi në Hajvali, por më 2016 atë ia kishte shitur biznesmenit Rrahim Pacolli, për 360 mijë euro.
Në të njëjtin vit, 2016, Thaçi e kishte deklaruar edhe një shtëpi në ndërtim me sipërfaqe 700 metra katrorë, së cilës, vlerën ia kishte caktuar 280 mijë euro, e prej të cilave 100 mijë thoshte sa i ka marrë kredi.
Por, një vit më vonë, gjithçka ndërroi në deklarimin e tij.
Toka për ndërtimin e shtëpisë dhe shtëpia në ndërtim u zhdukën.
As më 2018, presidenti nuk ka treguar fare se ka pasur në pronësi tokën ose shtëpinë e tij të re, e cila ka qenë e ndërtuar në fund të 2017-s, në Çagllavicë.
Komuna e Graçanicës nuk i është përgjigjur Kohavisionit nëse presidenti Thaçi kishte kërkuar leje ndërtimi për shtëpinë dhe kur është bërë kjo.