Një 27-vjeçare ka marrë lëndime të rënda pasi është goditur nga vetura në fshatin Qyshk, në magjistralen Pejë – Prishtinë.
27-vjeçarja është dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë.
“Një aksident ka ndodhur rreth orës 15:45, në magjistralen Pejë – Prishtinë, afër fshatit Qyshk, ku një automjet ka goditur këmbësoren. Policia ka arritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e lënduara është dërguar për trajtim mjekësor. Gjendja e saj është e rëndë”, ka njoftuar për KOHËN, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejë, Fadil Gashi.
I dyshuari, zyrtar policor, është ndaluar për 48 orë.
“Në vendin e ngjarjes përveç Policisë së Kosovës, ka dalë Prokurori i shtetit së bashku me Inspektoratin Policor. Viktima, për shkak të gjendjes së rëndë, është dërguar për tretman në QKUK. Deri në këto momente, kemi marrë konfirmim se gjendja e saj është e rëndë dhe kritike, pritet t’i nënshtrohet disa intervenimeve kirurgjike. Njëkohësisht Prokurori i shtetit ka ndaluar personin e dyshuar për veprën penale ‘rrezikim i trafikut publik’ dhe njëkohësisht janë siguruar prova që do të shërbejnë për procedurë penale”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.