Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka folur për aksidentin që ndodhi në Prizren e ku mbetën të vdekur tre persona.
Në një konferencë për media, Sveçla tha se pas këtij aksidenti janë marrë masa ndaj neglizhencës së zyrtarëve policorë në trajtimin me prioritet të garave ilegale nëpër autostrada, shkruan lajmi.net.
“Policia e Kosovës, të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në media, të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie dhe rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patent-shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim të këtyre garave”, tha Sveçla.
Gjithashtu, në konferencë u bë me dije se 104 kosovarë kanë humbur jetën në aksidente, teksa janë shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme.