(E plotésuar)Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përmes një sqarimi për media thonë se mëngjesin e sotëm kanë arrestuar tre zyrtarë policorë në Mitrovicën e Veriut.
“Operacioni i sotshëm që u zhvillua me urdhëresë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar në muajin maj të këtij vitit të koduar me emrin “Kontrabanda”, thuhet tash në sqarimin e tyre.
Përmes njoftimit thonë se arrestimi i tre të dyshuarve, një toger policor, një rreshter dhe një zyrtar policor, është realizuar me urdhëresë të Prokurorisë Speciale me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.
“Të arrestuarit do të intervistohen nga hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent. Me tri arrestimet e sotshme, gjithsej numri i zyrtarëve policorë të arrestuar gjatë këtij operacioni ka shkuar në 25”, përfundon njoftimi.
_______
Aksioni në veri, arrestohen tre persona
Zëvendës drejtoi i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti ka bërë të ditur për Telegrafin se aksioni i ndërmarrë në veri të Mitrovicës ka rezultuar me arrestimin e tre personave për grabitje
Hoti ka bërë të ditur se personat e arrestuar janë të dyshuar për përfshirje në grabitje.
” Aksioni i policisë ka përfunduar dhe ka qenë i realizuar nga drejtoria rajonale e policisë në veri. Janë shoqëruar tre persona”, ka thënë Hoti.
____________
Aksion policor në veri
Në aksion policor është zhvilluar mëngjesin e hershëm në veri të Mitrovicës.
Cak i këtij aksioni ka qenë kapja e disa personave të dyshuar për veprën penale “Krim të organizuar” dhe “Keqpërdorim te pozitës zyrtare”.
Aksioni është duke vazhduar akoma.
Këtë e ka konfirmuar për Express Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës
“Ky aksion është duke u bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe është vazhdim i aksionit te mëparshëm, për arrestimin e tre të dyshuarve për veprat penale “Krim të organizuar” dhe “Keqpërdorim te pozitës zyrtare”.
Aksionin e ka konfirmuar edhe zv.drejtori i policisë së Kosovës në Veri Besim Hoti.