Fjalë Kyçe

Aktakuza e re nga Specialja, Kuçi dhe Kilaj dalin sot para trupit gjykues

Aktakuza e re nga Specialja, Kuçi dhe Kilaj dalin sot para trupit gjykues

Në Hagë sot do të mbahet seanca e radhës, ku do të dalin para gjykatës, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj.

Kuçi e Kilaj po akuzohen për ndikimin mbi dëshmitarët. Bashkë me ta akuzohen edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu.

Senaca për Kuçin fillon në orën 10:00, kurse për Kilajn në orën 13:00.

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca fillestare për këtë rast, ku para gjykatës u paraqiten ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj dhe veterani i UÇK-së, Fadil Fazliu.

Thaçi dhe Smakaj nuk janë deklaruar rreth aktakuzës së ngritur ndaj tyre për ndikimin mbi dëshmitarët. Ndërkaq, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, është deklaruar i pafajshëm.

Thaçi nuk komenton akuzat e reja, përmend zgjedhjet: Nuk paraqes rrezik politik për askënd
Lexo po ashtu
Thaçi nuk komenton akuzat e reja, përmend zgjedhjet: Nuk paraqes rrezik politik për askënd
Gjatë seancës, Thaçi tha se nuk do të deklarohet, pasi nuk e ka lexuar aktakuzën në tërësi dhe se i duhet ta lexoi që ta kuptoi.

“Nuk kam pasur mundësi ta diskutoj me avokaten time shkaku i angazhimeve tjera që kam pasur në thelb dokumentin e konfirmuar nga ana ju andaj do të deklarohem me kohë në përputhje me afatin ligjor dhe kushtetues”, tha Thaçi.

Thaçi përmendi edhe zgjedhjet, ku tha se Kosova është në prag të zgjedhjeve elektorale dhe ai nuk paraqet rrezik politik për askënd.

“Me siguri ju e dini që unë tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretuese të historisë politike dhe kombëtare për lirin e shtetit dhe pavarësinë kombëtare më së paku nga vitet 1980 e deri më sot. Pra, është një proces voluminoz. E di se shoqëria kosovare, familja ime dhe unë presim me padurim fundin e këtij procesi. Presim drejtësi për çka edhe besojmë në drejtësi. Krejt papritmas para dy tre ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS-ja. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale. Unë nuk paraqes rrezik politik për askënd”, tha Thaçi.

Bashkim Smakaj mbetet në paraburgim, gjykatësja refuzon kërkesën për lirim me kusht
Lexo po ashtu
Bashkim Smakaj mbetet në paraburgim, gjykatësja refuzon kërkesën për lirim me kusht
Ndërkaq, në paraqitjen e tij të parë para Dhomave të Specializuara, Bashkim Smakaj, tha se dëshiron të shfrytëzojë periudhën 30-ditore për t’u deklaruar për akuzat ndaj tij. Ai theksoi në gjykatore se pas konsultimit me avokatin mori këtë vendim, pasi që pret të marrë edhe materiale shtesë për rastin kundër tij.
Avokati i tij kërkoi lirimin nga paraburgimi dhe tha se Smakaj është i gatshëm të japë garancë 5 mijë euro për lirimin me kusht dhe të dorëzojë pasaportën e tij. Gjyqtarja, pas një pauze të seancës, tha se argumentet e mbrojtjes nuk ishin të mjaftueshme për të ndryshuar vlerësimin e saj sa i përket qëndrimit në paraburgim të Smakajt. Ajo tha se ndaj Smakajt qëndron vendimi i saj për paraburgim prej dy muajsh.

Seanca e tretë ishte paraqitja e Fadil Fazliut para Gjykatës në Hagë. Ai tha se para seancës është konsultuar me avokatin e tij dhe u deklarua i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

“Kam biseduar edhe me avokatin para një ore. Por, unë jam i pafajshëm, deklarohem i pafajshëm”, tha ai.

Edhe në rastin kundër Fazliut, gjykatësja nuk pranoi argumentet e mbrojtjes për lirimin e tij nga paraburgimi.

Ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila është bërë publike më 6 dhjetor.