Fjalë Kyçe

Aktakuza e Speciales: Arrestimi dhe dërgimi në Hagë i Salih Mustafës

Aktakuza e Speciales: Arrestimi dhe dërgimi në Hagë i Salih Mustafës

Personi i parë në Kosovë i arrestuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë është Salih Mustafa – Cali, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Llapit.

Mustafa është arrestuar mëngjesin e së enjtes, dhe siç thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, kjo është bërë në bazë të një fletarresti, urdhri për transferim dhe aktakuze të konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Nga familja Mustafa, askush nuk është deklaruar për këtë rast.

Sipas postimeve në rrjetin Facebook të avokatit Nikë Shala, Mustafa është intervistuar për dy ditë në Hagë, në nëntorin e vitit 2019.

Zyrtarisht, kjo aktakuzë është e para e konfirmuar nga ky institucion, derisa më herët ishte konfirmuar ngritja e dy aktakuzave, të cilat kanë shkuar për shqyrtim te gjyqtari i procedurës paraprake.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë, ky gjyqtar ka kompetenca për të shqyrtuar aktakuzën, për ta konfirmuar ose hedhur poshtë atë. Me kërkesë të Prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake mund të lëshojë urdhër-arrest dhe të urdhërojë transferimin e personave në Dhomat e Specializuara.

Për konfirmim ose jo është duke pritur edhe aktakuza kundër presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Gjykata ka kohë edhe rreth 1 muaj për konfirmimin ose jo të saj.

Deri më tani, rreth 250 persona janë ftuar nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar në Hagë ose në zyrat e EULEX-it në Prishtinë. Shumë prej tyre kanë qenë pjesë e hierarkisë së lartë të UÇK-së dhe ish-komandantë të Zonave.