Fjalë Kyçe

Aktakuzë ndaj tre personave që u kapën me marihuanë

Aktakuzë ndaj tre personave që u kapën me marihuanë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve K.Th., A.K., dhe J.B., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Posedimi i paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Policia kishte zënë të pandehurit derisa ata ishin ulur e përballë vetes kishin vendosur qeset me marihuanë.

“Të pandehurit A.K., dhe K.Th., më 14 mars në Prizren në rrugën “Xhemaj Bjediqi”, pikërisht prapa një furre të bukës, në cilësinë e bashkëkryerësve me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes pa autorizim kanë poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, në atë mënyrë që derisa të pandehurit ishin të ulur në një tavolinë prapa furrës së bukës, ku kishin vendosur disa qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, hasen nga policia, me ç’rast policia ka gjetur dhe sekuestruar, në tavolinën ku po qëndronin të pandehurit marihuanë me peshë neto prej 0.60 gram, dhe një qese plastike me peshe neto prej 2.42 gram me marihuanë, ndërsa në motoçikletën të pandehurit A.K., janë gjetur dhe sekuestruar 35 qese plastike me marihuanë me peshë prej 73.63 gram, një qese plastike me marihuanë me peshë neto 49.63 gram (pesha totale e substancës narkotike 126.28 gram), një peshore elektronike ngjyre hiri – mjet për matjen e narkotikut, si dhe 15 euro, që dyshohet se janë mjete të fituara nga shitja e substancave narkotike”, thuhet në aktakuzë

A.K., më 31 mars pa autorizim ka shpërndarë marihuanë, në atë mënyrë që është takuar me J.B., në rrugën “Ibrahim Rugova” ku të njëjtit i jep në këmbim të 240 qeseve plastike që shërbejnë për paketimin e substancës narkotike, një dozë të substancës narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 0.27 gram.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndërsa, i pandehuri J.B. pa autorizim ka poseduar marihuanë, peshë prej 0.27 gram, të cilën substancë narkotike e kishte marrë nga i pandehuri A.K., në këmbim të 240 qeseve plastike, duke bërë kështu që ndaj tij të ngrihet vepra penale “Posedimi i paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.