Autoritetet në Sarajevë kanë ngritur aktakuza për krime lufte ndaj disa ish-politikanëve boshnjakë dhe liderëve ushtarakë për rolin e tyre në vrasjen e ushtarëve jugosllavë në fillim të luftës së Bosnjës në vitet ’90.
Prokurorët në Sarajevë kanë ngritur aktakuzë ndaj dhjetë personave për përfshirje në sulmin e vitit 1992, kur një konvoj i forcave të Ushtrisë Popullore Jugosllave po tërhiqej nga Sarajeva, dhe ishte i shoqëruar nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara.
Në mesin e të dyshuarve janë edhe Ejup Ganiq, ish-anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës gjatë luftës, dy ish-ministra të Brendshëm dhe disa gjeneralë në pension të ushtrisë boshnjake.
Tetë ushtarë të Ushtrisë Jugosllave, punëtorë civilë dhe anëtarë të stafit mjekësor ushtarakë u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën në këtë sulm, thuhet në aktakuzë.
Sulmi i 3 majit të vitit 1992 në rrugën Dobrovolaçka ndodhi një ditë pas granatimeve të shumta në qendër të Sarajevës, granatime që u kryen nga Ushtria Jugosllave dhe forcat serbe të Bosnjës.
Ky sulm ndodhi dy muaj pasi Bosnja, përmes një referendumi, votoi për pavarësi nga Jugosllavia.
Ganiq dhe të akuzuarit e tjerë dyshohet se kanë “planifikuar, sulmuar dhe kanë nxitur të tjerët që të sulmojnë konvojin e pambrojtur… që ishte i shoqëruar nga forcat paqeruajtëse të OKB-së”, dhe po ashtu kanë dështuar që të parandalojnë vrasjet dhe të dënojnë keqbërësit, thanë prokurorët.
Më 2012, prokurorët kishin pezulluar një hetim ndaj Ganiqit dhe 13 ish-liderëve boshnjakë të luftës, që dyshoheshin për krime lufte.
Lufta në Bosnjë ka lënë të vdekur pothuajse 100,000 persona dhe mbi 11,500 janë vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës./rel