Organizata jofitimprurëse “People for Ethical Treatment of Animals” (PETA) ka akuzuar lojtarin e Bayern Munich, Thomas Muller dhe gruan e tij, Lisa, për mizori ndaj kafshëve.
Konkretisht, çifti akuzohet se i kanë detyruar kuajt e tyre të kryejnë “akte seksuale të panatyrshme” në fermën private për të marrë doza të spermës së tyre, që e ngrijnë dhe më pas e shesin mesatarisht 200 euro për dozë.
Në një deklaratë të lëshuar javën e kaluar, Muller shpjegoi se një nga kuajt e tij, i quajtur D’Avie, pësoi një lëndim dhe do të pushojë për disa muaj.
“Fatkeqësisht, ne kemi lajme të këqija, – tha Muller. – D’Avie ynë nuk do të jetë i disponueshëm në muajt e ardhshëm. Për fat të keq, ai rrëshqiti gjatë një përpjekjeje provë për t’u përgatitur për sezonin e riprodhimit dhe ra në mënyrë dramatike.
Ai pësoi një dëmtim në zonën e thundrës dhe do të ketë nevojë për pushim të plotë për muajt e ardhshëm. Ai është një kalë i ashpër dhe mund të kishte qenë më keq”.
Ndërkohë, sipas “Daily Mail”, zëdhënësja e PETA-s, Jana Hoger pohoi se praktika e tyre ishte e panatyrshme: “Është e tmerrshme që dashnorët e vetëshpallur të kuajve detyrojnë kafshët nën kujdesin e tyre që të kryejnë akte seksuale të panatyrshme për të përfituar prej tyre.
Lëndimet që D’Avie pësoi nën mbikëqyrjen e Lisa dhe Thomas Muller ishin të parandalueshme dhe të panevojshme”.