Fjalë Kyçe

Aleancat e reja globale, po kërcënojnë lidershipin e SHBA-së në botë

Aleancat e reja globale, po kërcënojnë lidershipin e SHBA-së në botë

Nga Samantha Vinograd

Ka një klikë të re vendesh që po punojnë bashkë, dhe sjellja e presidentit Donald Trump, garanton se thuajse ne nuk do të ftohemi që të bashkohemi me ta. Tensionet që kanë shkaktuar tarifat e tij, dhe fyerjet e rëndomta, i kanë nxjerrë Shtetet e Bashkuara si një partner jo të besueshëm në sytë e aleatëve tanë.

Dhe duke toleruar aktivitetet e paligjshme dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga aleatët dhe rivalët, Trump po mbështet një ri-rreshtim global të marrëdhënieve, që nuk përparon aspak interesat strategjike të SHBA-së. Vende të tilla si Rusia dhe Kina, po bashkojnë aktualisht forcat për të na kundërshtuar.

Dhe, ndërsa po mbetemi gjithnjë e më shumë vetëm, konkurrenca ndaj nesh po shtohet. Arabia Saudite – një aleat i rëndësishëm i SHBA-së, që ka përfituar nga një marrëdhënie komode me administratën Trump – tani po kthen kokën nga Kina, për të ndërtuar programin e saj të raketave balistike .

Ndërkohë, Turqia po blen armë nga Rusia, e cila ende po na sulmon. Trump po krijon kushtet që më shumë vende të largohen nga Shtetet e Bashkuara, drejt burimeve të reja të forcës dhe miqësisë. Nuk është ndonjë sekret shtetëror, që presidenti amerikan nuk i kushton shumë vëmendje asaj që raporton komuniteti i tij i inteligjencës.

Por, nëse ai do të kishte lexuar përmbledhjen mbi kërcënimet botërore të vitit 2019, do të mësonte se Rusia dhe Kina janë sot më pranë me njëra-tjetrën,më shumë se në çdo kohë që nga mesi i viteve 1950. Rusia dhe Kina nuk janë mike natyrale të njëra-tjetrës, duke pasur parasysh historinë e tyre të konkurrencës.

Por bashkimi me forcat e tjera kundër Shteteve të Bashkuara, është një strategji që po josh shumë vende. SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa lufta jonë tregtare me Kinën vazhdon të përshkallëzohet. Presidentët Vladimir Putin dhe Xi Jinping, po vuajnë (edhe pse në nivele të ndryshme) nga sanksionet ekonomike amerikane.

Nuk është rastësi, që Putin dhe Xi e ripohuan miqësinë e tyre të re këtë javë, dhe nënshkruan disa marrëveshje dypalëshe me vlerë disa miliarda dollarë. Përveç një partneriteti ekonomik, Putini dhe Xi mund të ndajnë të njëjtën pikëpamje për gabimet e supozuara të Shteteve të Bashkuara.

Kina po e forcon retorikën e saj rreth kushteve të pasigurta në Shtetet e Bashkuara, ndërsa i pikturon Shtetet e Bashkuara si provokatore, si pjesë e propagandës së politikës së saj tregtare. Nga ana tjetër, Rusia i ka krahasuar më herët sanksionet amerikane me luftën ekonomike.

Ndërsa Rusia dhe Kina, mund të kenë rivaluzuar dikur njëra-tjetrën për hegjemoninë globale, tani ato ndajnë një dëshirë të ndërsjellë për të zvogëluar ndikimin e SHBA – sidomos në gadishullin Korean.

Putin dhe Xi, janë dy nga klientët më të mëdhenj të Koresë së Veriut, dhe duan ta mbajnë në pushtet Kim Jong Unin. Në rast se ka një ndryshim të regjimit në Phenian, kjo mund të çonte në vendosjen atje të një udhëheqësi më pro-amerikan.

Ata duan gjithashtu të shmangin një goditje ushtarake amerikane, që mund të sillte më shumë trupa amerikane në lagjen e tyre. Të dy burrat, kanë mbështetur listën e dëshirave të Kim për lehtësimin e sanskioneve amerikane, ndërsa i kanë bërë presion që të vazhdojë negociatat me Trump, por duke mos pranuar asnjë marrëveshje.

Duhet të presim që Putin dhe Xi, të vazhdojnë t’i shërbejnë publikisht interesave të tyre të përbashkëta, duke rritur bashkëpunimin e tyre ekonomik, dhe duke koordinuar privatisht mënyrat për të sabotuar dominimin e SHBA-së në rajone të ndryshme. Që të dyja vendet janë akuzuar se po përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet tona, dhe që të dyja kanë aftësi të përparuara kibernetike, për të mos përmendur armët e shkatërrimit në masë, dhe aftësitë ushtarake të avancuara konvencionale.

Stërvitjet e përbashkëta ushtarake Rusi-Kinë, së bashku me vendimin e Moskës për të nënshkruar një marrëveshje me kompaninë Huauei për instalimin e shërbimit 5G në Rusi, pas vendimit të Trump për futjen në listën e zezë të gjigantit kinez të telekomunikacionit, janë shenja të qarta se Rusia dhe Kina mund ta fsheshin thikën shumë kohë para se të përpiqen të na varrosin ne.

Rivalët tanë jo vetëm që punojnë bashkë, por po tërheqin në aleancën e tyre edhe disa nga aleatët tanë, gjë që ndoshta nuk është rastësi. Teksa po forcohen këto partneritete të reja, Shtetet e Bashkuara do ta kenë më të vështirë të formojnë një front të bashkuar me miqtë tanë të vjetër, për të ndëshkuar fuqitë rivale si Kina dhe Rusia, për sjelljen e tyre në keqe në skenën botërore.

Arabia Saudite, ka qenë blerëse e rregullt e raketave balistike, që kur është rritur kërcënimi nga Irani. Duke pasur parasysh kufizimet e SHBA ndaj eksportit të raketave, Riadi thuhet se i është drejtuar Kinës për raketat dhe teknologjinë që po ia japim.

Kina e ka përshkruar Arabinë Saudite si një “partnere gjithëpërfshirëse strategjike”, dhe thotë se të dyja vendet “kanë një bashkëpunim miqësor në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe fushën e shitjeve të armëve”.

Kjo nxit shqetësimet rreth një gare armatimesh në Lindjen e Mesme – veçanërisht ndërsa Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, ka deklaruar se mbretëria do të pajiset me armë bërthamore, në qoftë se Irani e rifillon programin e vet bërthamor. Administrata Trump, ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Arabisë Saudite, pavarësisht informacioneve nga komuniteti amerikan i inteligjencës se Princi i Kurorës, urdhëroi personalisht vrasjen brutale të gazetarit arab me banim në SHBA, Xhamal Kashoxhi. Po ashtu, administrata Trump ka toleruar abuzimet me të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite dhe në vende të tilla si Jemeni – kryesisht për shkak të aleancës sonë kundër Iranit. Për të mos përmendur marrëveshjet mbi shitjen e armëve, që presidenti Trump pretendon se ata kanë nënshkruan me SHBA-në.

Arabia Saudite ka pak arsye për të menduar se ne do të reagonim negativisht ndaj këtyre blerjeve nga Kina. Nëse nuk do të merrnim hapa strategjikë për të ndëshkuar princin e kurorës për ndarjen e Khashuolit në Stamboll, blerja e raketave balistike nuk ka gjasa të jetë kashtë e fundit.

Arabia Saudite, ka shprehur më herët interesin për të blerë sistemet anti-raketore ruse, që do të sillnin sanksionet e amerikanëve mbi të.

Turqia, një tjetër aleate e SHBA-së, ka planifikuar të blejë vitin e ardhshëm sistemin rus të mbrojtjes S-400, pavarësisht rrezikut të sanksioneve nga SHBA dhe ç’është më e rëndësishmja, duke e minuar aleancën e NATO-s me një sistem rus që nuk mund të integrohet me vendet e tjera anëtare të NATO-s .

Është e qartë, se aleatët tanë nuk mendojnë që ne jemi shitësit e vetëm në botë, dhe ata nuk po i kufizojnë blerjet e tyre tek aleatët e SHBA-së. E sotmja, është në fakt një botë e re e të guximshmëve. Ndërsa presidenti Trump po vazhdon të distacojë miqtë tanë, dhe të falë vendet që kryejnë aktivitete të paligjshme, aleancat e reja globale që ata po formojnë, mund të pakësojnë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të ndjekur idealet e vjetra amerikane, të një rendi global të bazuar në rregulla, për të garantuar mospërhapjen e armëve bërthamore dhe garantuar stabilitetin.

Shënim: Samantha Vinograd, ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në administratën e presidentit Obama në vitet 2009-2013, dhe në Departamentin e Thesarit nën presidentin Xhorxh W.Bush.

“CNN” – Bota.al