Aleksis Cipras (Tsipras) ishte kryeministër i Greqisë nga viti 2015 deri me 2019, dhe erdhi në pushtet nëpërmjet koalicionit të majtë radikal Syriza, lider i së cilës ishte nga viti 2010. Ai u bë kryeministër i Greqisë në kohën kur vendit i rrezikohej falimentimi dhe ekzistenca si shtet për shkak të borxheve të mëdha dhe shtrëngimeve të brendshme që duhej të bëheshin për të mbijetuar.
Cipras kishte ardhur në pushtet si personi pa kollare dhe me jake të hapur duke premtuar që të rishikonte monedhën e përbashkët euro dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, duke u bërë edhe tmerri i kësaj të fundit nga frika e të majtëve në pushtet, Cipras kishte të kaluar të pasur komuniste.
Cipras e mori pushtetin në Greqi kur vendi po fundosej dhe e la atëherë kur vendi kishte rritje ekonomike prej 2.2%
Cipras gjatë mandatit të tij arriti që të menaxhojë borxhet e Greqisë dhe të menaxhojë edhe presionet dhe protestat që eskalonin në dhunë nga brenda për ta tërhequr Greqinë nga idetë ku dilnin se Greqia duhej të falimentonte, të shpërbëhej shteti apo të detyrohej të shiste ishuj dhe pjesë të tokave të saj. Cipras nuk lejoi asnjë nga këto të ndodhin dhe e bëri Greqinë që të mbetej brenda BE-së dhe të kthehej nga treguesit pozitiv të ekonomisë.
Cipras megjithatë me 2015 për ta marrë pushtetin ishte detyruar që ta bënte një koalicion shumë të dhimbshëm me krahun e djathtë populist “Aleancën Kombëtare Patriotike – Greqia e Pavarur”
Cipras gjithashtu arriti që problemin shekullor me ish-Maqedoninë (ish-FYROM) ta zgjidhte duke bërë një marrëveshje historike për emrin, marrëveshje e cila dërgoi që ish-Maqedonia (ish-FYROM) të quhet Maqedonia e Veriut. Ky akt jo populist do ta bënte atë që të fitonte respektin në botën e jashtme diplomatike.
Mirëpo, këto Cipras-in nuk do ta bënin populist brenda vendit, populli nuk do t’ia besonte edhe një mandat të dytë, përkundër që ishte ai i cili e hoqi Greqinë nga kriza ekonomike dhe problemi historik i panevojshëm, populli grek iu kthye oligarkisë së vjetër qeverisëse. Oligarkia e vjetër qeverisëse në Greqi realisht ishte fajtorja kryesore për krizën ekonomike të vendit. Ata kishin lejuar që vendi të futej në kredi të buta të pafundme, të jepte subvencione dhe benefite të pafundme për popullin gjë që e kishte quar në falimentim shtetin. Mirëpo, si duket grekët të mësuar të fitonin më shumë se sa që punonin zgjodhën oligarkinë e vjetër kundër së cilës do të detyrohen prapë të ringrihen në një të ardhme të afërt kur të kuptojnë se nuk mund të vazhdohet më me Greqinë si para krizës ekonomike.
Albin Kurti për historinë e të cilit nuk kemi nevojë të shpjegojmë këtu, erdh ashtu si një njeri pa kravatë, që do të rishikonte çdo marrëveshje me Serbinë dhe do ta shpëtojë vendin nga kriza politike, ekonomike dhe sociale.
Edhe Kurti i krahut të majtë u detyrua të bënte një koalicion me krahun e djathë, LDK-në, që të krijonte qeverinë. Koalicioni i majtë radikal Syriza i Cipras për vetëm dy deputetë nuk kishte arritur që ta kishte mazhorancën në Kuvendin Helenik të Greqisë por kishte më shumë se gjysmën e deputetëve se partia e dytë, ndërsa Kurti kishte dhe ka vetëm një deputet më shumë se partia e dytë.
Kurti ka ardhur në pushtet me premtimin që ta nxjerrë Kosovën nga ngrehina dhe u pa si një armik i miqve ndërkombëtar ashtu si Cipras ndaj BE-së, mirëpo sikur Cipras edhe tek kryeministri Kurti po vërtetohet e kundërta dhe bashkëpunimi po del më se i mirë.
Cipras u bë kryeministër i Greqisë dhe e shpëtoi atë por jo vetën. Si duket edhe Kurti u bë kryeministër i Kosovës në kohën kur vendit po i rrezikohet edhe tërësia territoriale por edhe shtetësia.
Si duket në qeverisjen e Kurtit do të jetë përfundimi i problemit dhe arritja e marrëveshjes së paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, reformimi i strukturës institucionale dhe stabilizimi ekonomik dhe social i vendit. Të gjitha këto nuk do të jenë gjëra populiste edhe pse janë veprime të pashmangshme dhe më se të nevojshme për shpëtimin e vendit. Por këto reforma dhe marrëveshje mund t’ia sjellin fatin e Cipras edhe Albin Kurtit.
Cipras fitoi respektin ndërkombëtar ndërmjet diplomatëve e politikanëve evropian e botëror, mirëpo humbi zgjedhjet dhe popullaritetin brenda vendit, të njëjtin fat mund ta ketë edhe Kurti, ky i fundit arriti që publikisht ta marrë mbështetjen e Grenellit i cili e mbrojti Kurtin kundër liderit opozitar Kadri Veseli, por sa do i vlejë kjo pas reformave dhe marrëveshjeve që do arrihen.
Reformat në Kosovë nënkupton që së pari në institucione të ketë veting dhe heqje galopante nga puna të militantëve partiak, ndalje e keqpërdorimit të fondeve publike për tender, OJQ e media, ndalje e bizneseve që veprojnë në kundërshtim me ligjin, të gjitha mund të bashkohen fuqishëm me kastën e vjetër.
Ndërsa, marrëveshja me Serbinë nuk do të përmbushë nevojat populiste të asnjë lideri dhe as pritjet e popullit të cilat janë më shumë dëshira se sa arsyetime, sepse marrëveshjet ndërmjet shteteve në të tilla raste asnjëherë nuk plotësojnë aspiratat totale të asnjërës palë.
Në fund të gjithë këtij procesi, Kurti i cili është vetëm një vit më i ri nga mosha se Cipras (Kurti ka lindur me 1975, ndërsa Cipras me 1974) nuk duhet ta ndalë reformën politike nëse vërtet dëshiron t’i mbajë premtimet e tij, gjë që është herët të vlerësojmë, mirëpo duhet ta bëjë një ndryshim nga fati i Cipras.
Cipras kishte marrë Greqinë kur po vdiste si shtet dhe kishte trashëguar një popull i cili ishte mësuar në mirëqenie dhe luks dhe që kërkonin një njeri i cili ua kthente kohën, përderisa Kurti po ashtu ka marrë një shtet i cili po vdes dhe duhet ta shpëtoj, ka trashëguar edhe një popull i cili nuk është i mësuar me mirëqenie dhe presin ta kenë atë, dhe duke ua treguar këtë dallim Kurti mund ta ndryshojë fatin e tij politik nga ai i Cipras.
Yuval Noah Harari në një artikull brilant të tij për New York Times argumentonte se si populli voton duke zgjedhur dëshirat e tyre por nuk voton sepse mendon se çka është e vërtetë. Kurti ndërmjet dëshirave të popullit dhe të vërtetës të zgjedh ndryshimin. Nëse fat i Cipras ishte i shkruar qysh në fillim të marrjes së mandatit të tij, Kurti ka mundësinë ta shkruaj vetë fatin e tij politik. Fati politik i Kurtit nuk shtrihet nga përballja me opozitën, fati politik i Kurtit shtrihet nga ndryshimi ndërmjet dëshirave të popullit dhe të vërtetës.
Kurti duhet që dëshirat e popullit dhe të vërtetën t’i ndeshë sikur në alkimi dhe me këtë ta bëjë ndryshimin.
Në variantin tjetër, rruga i shtrohet që të rikthehet në pushtet prapë oligarkia e vjetër.