Fjalë Kyçe

Aliu: Më së largu nesër do të nisen dy pacientët për shërim në Austri

Aliu: Më së largu nesër do të nisen dy pacientët për shërim në Austri

Nga shpërthimi në Ferizaj ku mbetën të lënduar dhjetëra qytetarë, prej tyre 6 në gjendje më të rëndë, dje, 4 prej tyre u nisën për trajtim shëndetësor në Turqi, kurse 2 të tjerët do të nisen së shpejti për trajtim shëndetësor në Austri.

Kështu bëri të ditur mbrëmë kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Ndërsa në një prononcim për IndeksOnline bëri të ditur se këta dy pacienta do të udhëtojnë sot ose nesër për t’u trajtuar në Austri.

“Sot ose nesër më së largu do udhëtojnë të dy pacientët për në Austri, kjo varet edhe nga plotësimi i dokumentacionit i cili varet nga Ministria e Shëndetësisë, e cila është bartëse e këtij aktiviteti. Ka mundësi që sot gjatë ditës të udhëtojnë, po sipas kontakteve që kemi me MSH më së largu nesër do të udhëtojnë”, tha ai.

IndeksOnline gjatë ditës së djeshme ka raportuar për largimin e këtyre dy pacientëve, Enverit dhe Fidanit, nga lista për t’u trajtuar në Turqi.

Ndërkohë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se dy pacientët në fjalë, bashkë me pacientët tjerë të lënduar, po marrin trajtimin e vazhdueshëm mjekësor nga profesionistët shëndetësorë të QKUK-së.

“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ju njofton se, dy personat e djegur, si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në qytetin e Ferizajt, nuk janë larguar nga lista për dërgim në Turqi, por po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të shkallës më të vogël të djegies”, thuhej në njoftim.