Fjalë Kyçe

Aliu për shkëmbimin e pronave: Pa pasur interes publik të qartë nuk mund të ketë këmbim të pronave

Aliu për shkëmbimin e pronave: Pa pasur interes publik të qartë nuk mund të ketë këmbim të pronave

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur për raportimet për shkëmbim të pronave komunale në Prishtinë me prona në Badoc, që kanë qenë në pronësi të ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, e ish bashkëpunëtorëve të tij.

Aliu ka thënë se pasi që nuk është drejtpërdrejtë i përfshirë në këtë proces, nuk ka informata për këtë çështje, por se sipas tij shpronësime dhe këmbimet e pronave përherë duhet të kenë arsyetimin e plotë të interesit publik.

“Pa pas interes publik të qartë nuk mund të ketë as shpronësime e as këmbim të pronave. Arsyetimi i interesit publik është tejet i rëndësishëm. Nuk mund të jap koment për punën që e ka bërë Kuvendi Komunal. Nuk e di saktë për ata që bëhet fjalë”, është shprehur Aliu, në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë.

Rama, e ka interpretuar në favor të ish-bashkëpunëtorëve të tij një vendim të Ministrisë së Ambientit të vitit 2020, për të cilin ka thënë se lejon ndërrimin e tokës komunale me vlerë prej të paktën 20 milionë eurosh, me 8 hektarë pronë private në Badoc. E vendimi i Ministrisë thotë vetëm se Komuna është e obliguar ta respektojë Ligjin e në asnjë rresht nuk e bën një autorizim të tillë.

Aliu ka theksuar se nuk është në dijeni të këtij vendimi e as se çfarë përmban ai.

“Nuk e di nëse ka dhënë ministra pëlqim, do ta shoh”, është shprehur Aliu, duke shtuar se dy prona nuk mund të këmbehen pa u vlerësuar.

“Nuk mund të këmbehen dy prona pa u vlerësuar, pra i vlerëson, kjo është kaq, kjo është kaq, kjo me këtë këmbehen”, ka deklaruar Aliu.