Fjalë Kyçe

Ambasada gjermane i kërkon Kurtit të mos i ndërtojë urat mbi Ibër: Veprim përshkallëzues

Ambasada gjermane i kërkon Kurtit të mos i ndërtojë urat mbi Ibër: Veprim përshkallëzues

Premtimi për hapjen e Urës së Ibrit nuk u realizua. Që nga takimi i Kurtit me shefin e CIA-s, ky i fundit as që e përmendi më një gjë të tillë. Një projekt tjetër; dy ura të tjera afër Urës së Ibrit pritet të filloj sot. Gurthemeli i këtyre dy urave pritet të bëhet këtë të martë. Por, ambasada gjermane i ka tërhequr vërejtjen Kurtit për një gjë të tillë.

Ambasada gjermane në një përgjigje për Gazetën Express i ka bërë thirrje qeverisë në detyrë të Kosovës për përmbajtje në lidhje me ndërtimin e dy urave mbi Ibër – paralelisht me urën kryesore, gurthemeli i së cilave do të hidhet sot pasdite.

“Ne e mbështesim plotësisht thirrjen e Bashkimit Europian drejtuar qeverisë së Kosovës që të përmbahen nga ndërtimi i dy kalimeve të reja të lumit Ibër në Mitrovicë. Në vend të veprimeve të pakoordinuara dhe potencialisht përshkallëzuese, siç është ndërtimi i dy urave të tjera, duhet të adresohen sfida shumë më urgjente”, tha për Gazetën Express Christian Böttcher, zëvendësshefi i Misionit në ambasadën gjermane.

Ambasada e udhëzoi qeverinë në detyrë që në vend të këtyre lëvizjeve t’i investojë paratë në gjëra që e rrisin mirëqenien e qytetarëve.

“Riorientimi i burimeve të pakta publike të Kosovës drejt prioriteteve sociale të vetë qeverisë do të sillte përfitime shumë më të mëdha. Futja e sigurimit shëndetësor universal do të zgjeronte qasjen në kujdes dhe do të mbronte familjet nga kostot e larta mjekësore; rritja e shpenzimeve për arsim në nivelet mesatare europiane dhe rajonale do t’i përgatiste më mirë të rinjtë për tregun e punës; dhe forcimi i rrjeteve të sigurisë sociale do të nxiste kohezionin në të gjitha komunitetet dhe do t’i mbronte familjet nga goditjet ekonomike”, tha ambasada gjermane.