Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani që masa e reciprocitetit për dokumente të udhëtimit e targa të shtyhet për 30 ditë.
Sipas asaj që tha në konferencë, Hovenier tha se kjo është kërkesë e qeverisë së SHBA-ve dhe nuk do të thotë që kjo të mos zbatohet, shkruan lajmi.net.
Ai më tutje është shprehur se ka keqkuptime dhe keqinterpretime të këtyre dy vendimeve, andaj duhet të punohet që ato të kuptohen më mirë dhe kështu të ulen tensionet nëpërmjet të kuptuarit të këtyre vendimeve.
“Unë erdha këtu sonte sepse mendoj se të gjithë ne jemi të brengosur për situatën në veri të Kosovës. Fillimisht unë dua të flas pak për vendimin. Këto vendime për dokumentet e udhëtimit dhe për ndërrimin e tablave. Nga përspektiva e SHBA-ve të dy vendimet janë komplet normale dhe të bazuara në marrëveshjet e Washingtonit. Ne kishim një diskutim me qeverinë për implementimin dhe kohën për këto vendime. Unë erdha të takohem këtu me Kurtin, Osmanin dhe Bislimin dhe t’ua përcjell një kërkesë të qartë nga SHBA-të të shtyejnë impelementimin e këtyre dy vendimeve për 30 ditë. Ne mendojmë se këto 30 ditë shtyerje do të ishin të rëndësishme sepse ka keqinformim dhe keqkuptim për këto dy vendime. Ne shpresojmë të bashkëpunojmë me qeverinë dhe kolegët e Bashkimit Europian që këto vendime të kuptohen dhe t’i ulim tensionet me anë të të kuptuarit. Ne nuk po kërkojmë që të anulohen këto vendime. Ne jemi të brengosur se disa njerëz kanë vendosur që brengën e tyre për këto vendime ta shprehin duke vendosur barrikada dhe ne nuk e inkurajojmë këtë.”, tha Hovenier.