Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se pajtohet plotësisht me reagimin e Bashkimit Evropian ndaj veprimeve të fundit të autoriteteve të Kosovës.
Bashkimi Evropian i është bashkuar kritikave të shprehura edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për operacionet e autoriteteve të Kosovës në institucionet komunale në Kosovë të administruara nga Serbia. Në një deklaratë të lëshuar të dielën në mëngjes nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) kërkohet që statusi i këtyre institucioneve të zgjidhet përmes dialogut në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë Serbe.
BE-ja i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të “ndalin veprimet e njëanshme që nxisin tensione”.
E Rohde ka thënë se pajtohet me këtë reagim të BE-së.
“Sërish, plotësisht përkrahi këtë deklaratë! Masat e njëanshme vetëm sa i shtojnë benzinë zjarrit dhe janë e kundërta e reduktimit të tensioneve. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë është platforma e përshtatshme për t’i adresuar këto çështje”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.