Në ambasadën e SHBA-së në Berlin sot ka qëndruar një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës i prirë nga nënkryetari i partisë, Agim Veliu. Për në Gjermani bashkë me Veliun kishin udhëtuar edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, dhe Avdullah Hoti.
Pas takimit me ambasadorin Richard Grenell në Berlin nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë lëshuar një njoftim për media ku janë treguar pak detaje nga diskutimet me Përfaqësuesin e Lartë Presidencial për dialogun Kosovë-Serbi.
Megjithatë detaje lidhur me këtë takim të sotëm në Berlin nuk ka pranuar të ndajë zyra e ambasadorin Grenell.
Të pyetur nga Express për detaje të diskutimeve, nga zyra për media e emisarit të Trumpit kanë thënë se nuk mund të japin detaje me arsyetimin se pyetjet përkojnë më diskutime private të ambasadorit Richard Grenell.
Megjithatë në njoftimin e lëshuar nga LDK’ja është thënë se Grenell ka kërkuar që Kosova të heq taksën me qëllim të rinisjes së dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.
Përveç tjerash në Berlin është diskutuar edhe rreth përpjekjeve për krijimin e institucioneve të reja. Pas takimeve përveç komunikatës zyrtare të LDK’së, lidhur me takimin kanë shkruar edhe Skënder Hyseni, Agim Veliu e Avdullah Hoti.
Skënder Hyseni e ka cilësuar si një takim mjaftë të mirë ku ka pasur mirëkuptim. Megjithatë ish-ministri nuk ka dhënë kurrfarë detajesh se në çfarë çështjes mund të kenë pasur dakordim me ambasadorin amerikan në Berlin.
Aktualisht negociatat në mes të LDK’së dhe Vetëvendosjes janë kthyer në pikën zero, pasi që partia e Kurtit në ditën e konstituimit të Kuvendit ka propozuar Glauk Konjufcën për kryekuvendar.
Marrja e postit të kryekuvendarit nga Vetëvendosje tashmë ka prishur gjithë matematikat e diskutuara për ndarjen e përgjegjësive në rast të arritjes së një marrëveshje për koalicion, meqë LDK’ja një post të tillë e dëshironte për vete.
Mbetet të shihet se si do të vazhdojnë negociatat mes dy partive dhe se a do të ketë takime Kurti-Mustafa, para 6 janarit, datë kjo kur lideri i VV’së dhe Thaçi do të takohen në presidencë për të diskutuar rreth mandatarit për postin e kryeminsitrit.
Pengesë për arritjen e koalicionit që nga fillimi i negociatave ka qenë kërkesa e LDK’së për të propozuar emrin e presidentit pas 1 viti e gjysmë kur do t’i përfundonte mandati Hashim Thaçit.