Fjalë Kyçe

Amerikanët në protesta ndaj vrasjes së gjeneralit iranian

Amerikanët në protesta ndaj vrasjes së gjeneralit iranian

Mijëra njerëz kanë protestuar para Shtëpisë së Bardhë dhe një hoteli të familjes Trump, si shenjë pakënaqësie për sulmin ajror të Shteteve të Bashkuara që rezultoi me vrasjen e gjeneralit iranian.

Protestuesit me thirrje të ndryshme, u shprehën kundër edhe ndaj vendimit të SHBA-së që të angazhonte 3 mijë ushtarë shtesë në Lindjen e Mesme për shkak të rritjes së tensioneve dhe kërcënimeve të Iranit kundër amerikanëve.

Gjenerali Qassem Soleimani, komandant i Gardës Revolucionare për legjionet e jashtme, u vra nga një sulm ajror në aeroportin e Bagdadit.

Eliminimi i tij e ka futur Uashingtonin në territor të rrezikshëm në konfrontimin e kamotshëm me Iranin.

E një tjetër protestë është mbajtur në Los Angeles, por kjo ishte kundër luftës së mundshme mes SHBA-së dhe Iranit.

Kjo protestë u mbajt pas marshit në Irak si shenjë nderimi për vrasjen e Qassem Soleimanit.

Ndërkohë Gjenerali iranian u varros me një ceremoni masive në qytetin Ahvaz. Pjesëmarrësit në funeral kanë bërë thirrje: “Vdekje e Amerikës”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, duke arsyetuar sulmin me dron ndaj gjeneralit, të premten ka deklaruar se Soleimani po planifikonte sulme ndaj diplomatëve amerikanë.

Ndërkohë, rivalët e tij demokratë, kanë thënë se veprimi i presidentit ishte i ashpër dhe rrezikon konflikt të ri në rajonin tashmë të tensionuar të Lindjes së Mesme.