Fjalë Kyçe

Analisti Donik Sallova i bashkohet Vetëvendosjes

Analisti Donik Sallova i bashkohet Vetëvendosjes

Lëvizjes Vetëvendosje që nga sot i është bashkuar edhe analisti politik, Donik Sallova.

Kjo gjë është bërë e ditur nga vet lideri i LVV-së, Albin Kurti përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, shkruan Gazeta Alo.

Kurti, ka shkruar se me Donikun në Vetëvendosje janë më të fuqishëm në mendim dhe më të sigurtë në veprim drejt sifdave, siç ka thënë ai pra, fitoreve të reja.

Postimi i tij i plotë:

Donik Sallova është doktor i shkencave politike. Ai sot u anëtarësua në Lëvizje. Bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca, e mirëpritëm ne selinë qendrore.

Nga viti 2013, Donik Sallova punon si profesor në Fakultetin e Administratës Publike të Kolegjit AAB. Studimet themelore për shkenca politike i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ato postdiplomike për teori politike në Universitetin e Tiranës.

Doniku është 32 vjeçar. Në vitin 2017, ai ka mbrojtur disertacionin e doktoraturës me temën “Politika e ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar”. Prej shumë vitesh është kontributor në opinionin publik si politolog me analiza, kolumne dhe opinione për zhvillimet politike në Kosovë, Shqipëri dhe trevat tjera shqiptare. Ka të botuar disa artikuj shkencorë me tematika mbi çështjet e identitetit kombëtar, decentralizimit etnik në Kosovë, politikave denacionalizuese të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, sfidave të shtetndërtimit të Kosovës dhe domosdoshmërisë së bashkimit kombëtar etj.

Me Donikun në VETËVENDOSJE! jemi më të fuqishëm në mendim dhe më të sigurt në veprim drejt sfidave, pra fitoreve, të reja./Gazeta Alo/