Fjalë Kyçe

Analisti serb: Frikësimi i popullit – metodë e përsëritur e Vuçiqit, për të pranuar vendimet që merren në Prishtinë

Analisti serb: Frikësimi i popullit – metodë e përsëritur e Vuçiqit, për të pranuar vendimet që merren në Prishtinë

Analisti politik nga Beogradi, Dushan Janjiq, thotë se deklaratat e presidentit serb Vuçiq, kryeministres Brnabiq dhe ministrave të Serbisë, se në Kosovë po përgatitet një “Stuhi” e re dhe sulme – “po përsëriten shpesh. Dhe çdo herë i shqetësojnë serbët në Kosovë. Frikësim, pas të cilit zakonisht vjen pranimi i vendimeve që merr Qeveria e Kosovës, është një model i përsëritur”.

“Stuhia”, gropa, kama… Këto fjalë të rënda, që shkaktojnë frikë dhe ankth tek shumëkush, i tha të shtunën në mëngjes ministri serb i Policisë, Aleksandar Vulin, duke përsëritur se Serbia nuk do të lejojë që serbët të dëbohen nga Kosova.

Siç shkruan gazeta “Danas” Presidenti i Serbisë ka pohuar se po planifikohet një sulm ndaj serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, duke reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e të gjitha targave të qyteteve të Kosovës, që lëshohen në Serbi, me targa RKS.

“Ne nuk po kërcënojmë askënd, nuk ka luftë, nuk ka përdorim të ushtrisë, por ju lusim me shumë dashamirësi, mos u mundoni të dëboni fëmijët tanë nga veriu i ‘Kosovës dhe Metohisë’, mos u mundoni të bëni asnjë fëmijë serb të qajë, mos u përpiqni ta përsërisni ‘Stuhinë’, nuk do të përfundojë mirë. Ndonjëherë kam përshtypjen se edhe BE-ja edhe Prishtina janë çmendur… Budallenj. A jeni normalë që të vini, tu hyni serbëve në shtëpi dhe t’ua rrëmbeni veturat, targat e tyre dhe të pretendoni se është sundim i ligjit”, ka porositur Vulin, transmeton Telegrafi.

Serbët në Kosovë tashmë jetojnë në frikë dhe pasiguri dhe kjo retorikë dramatike, përmendja e “Stuhisë”, luftës dhe dëbimit nuk ndihmon aspak dhe nuk i zgjidh problemet, porosit nga Kosova ish-ministri për “Kosovë e Metohi” dhe nënkryetar i Partisë Demokratike Serbe (SDS) Goran Bogdanoviq.

Ai vlerëson se deklaratat e tilla i shërbejnë Vuçiqit në përpjekjet që të homogjenizojë serbët në Kosovë.

“Ju keni një situatë ku është nxjerr urdhëresa që pushimet vjetore të anulohen në të gjitha institucionet e shtetit serb këtu në veri të Kosovës dhe ende nuk e dimë se sa do të zgjasë. Është e qartë se ai [Vuçiq] në këtë mënyrë dëshiron të homogjenizojë, prapë nuk do të thosha homogjenizojë – por të frikësojë popullin këtu”, thotë Bogdanoviq.

Sipas Dushan Janjiqit nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike, ngritja e një çështjeje teknike, siç janë targat e automjeteve që kryesisht janë zëvendësuar, në nivelin e një çështjeje politike dhe deklaratat dramatike është një strategji që tashmë është parë, dhe shërben për të ruajtur status quo-ja nga njëra anë dhe ndryshimi i situatës në terren nga ana tjetër.

Ai thotë se gjithçka është si historia e bariut dhe ujkut.

“Problemi me atë lojën është kur shfaqet ujku, askush nuk shfaqet për të ndihmuar bariun. Vuçiq ka arritur deri në atë pikë sa më askush nuk beson në thirrjet e tij. Askush nuk do t’i vijë në ndihmë as nga populli e as nga publiku kur të vijë vendimi serioz për anëtarësim ose jo në NATO”, vlerëson Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, transmeton Telegrafi.

Janjiq thotë se “kësaj duhet t’i shtojmë zgjedhjet dhe shprehinë e të sunduarit me frikën. Situatën në terren në fakt po e ndryshon Prishtina dhe nga kjo lojë po del me avantazh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili duke e kuptuar se po përfiton nga politika e reciprocitetit, po e zbaton atë”.

“Çmimi i krejt kësaj është se ju po shpërndani mosbesim dhe frikë tek populli, në të dyja anët, te serbët dhe shqiptarët. Çmimi është që shpërndani mosbesim në të dyja anët dhe nuk po përgatitni atmosferën për dialog, por po përgatitni atmosferën për një konflikt i ri. Dhe ky është thelbi i politikës së reciprocitetit, por kësaj nuk iu përgjigj QUINT-i, kurse Amerika ishte e përmbajtur”, shton Janjiq.

Janjiq shpreson që QUINT-i do ta kuptojë se politika e reciprocitetit të cilën e udhëheq Kurti dhe deri diku edhe Vuçiq, nuk çon në asgjë të mirë.