Gjiganti spanjoll Real Madrid shpreson që të vazhdojë formën e mirë, ku përballet nesër me skuadrën e Sevillas në kuadër të xhiros së 32 të La Ligas.
E gjithë skuadra, pavarësisht se kanë luajtur 120’ minuta kundër Chelseat në Ligën e Kampionëve, do të jetë e gatshme për ndeshjen e nesërme, për ta vazhduar garën drejt titullit.
Para përballjes tejet interesante me Sevillan, trajneri Carlo Ancelotti foli para mediave, duke treguar që ka lojtarët e gatshëm, ndërsa gëzoi tifozët madrilen me një lajm të mirë për Luka Modric.
“Pas ndeshjes me Chelsea, të gjithë lojtarët janë në rregull, kemi pasur kohë për tu rikuperuar. Jemi të gatshëm të përballemi me Sevillan, lojtarët ndjehen mirë, janë të gatshëm”, tha Ancelotti.
“Sa i përket Modric, ai do ta përfundojë karrierën e tij te Real Madridi, kjo është ideja e klubit dhe e Lukas. Ai nuk do të ketë probleme me rinovimin e kontratës. Kam pasur nën urdhrat e mija legjendën Paolo Maldini, i cili fitoi Ligën e Kampionëve në moshën 40 vjeçare. Më duhet ta krahasoj Modricin me atë. Të dy janë legjenda”, shtoi më tej Ancelotti.
Nesër me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan”, skuadra e Sevillas pret në shtëpi gjigantin spanjoll Real Madrid, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e 32 të La Ligas.