Që nga fillimi i vitit, Qerim Ramës nga lagjja “Taslixhe” e Prishtinës i duhet që çdo muaj të ankohet në zyrat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit për një borxh të paguar me kohë.
Ai thotë se në faturën mujore që merr i figuron borxhi prej 200 eurosh, të cilin ai e kishte paguar përmes një transaksioni bankar, raporton KOHA.
E ndonëse këtë dokument, së bashku me faturën, e kishte dorëzuar edhe në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal ‘’Prishtina’’ ai thotë se borxhi vazhdon të mos shlyhet.
Ai shprehet se të shpeshta janë rastet kur punëtorët e kësaj kompanie nuk ndalen për të kontrolluar gjendjen ndërkohë që, sipas tij, faturat mujore po fryhen thuajse çdo muaj nga kompania.
Për këtë problematikë të ngritur nga Rama, përmes një përgjigjeje me shkrim, nga KRU ‘’Prishtina’’ i kanë thënë Kohës se një borxh i tillë figuron i shlyer.
Tutje, në përgjigjen e kompanisë thuhet se të vetmet vonesa që mund të ndodhin janë në raste të transferimeve nga bankat në sistemin e kompanisë.